Mbrojtësi Hysen Memolla foli në konferencë për mediat në prag të dy ndeshjeve që kombëtarja do të luajë kundër Andorrës dhe Francës. Memolla u shpreh se skuadra duhet të japë 100%, pavarësisht kundërshtarit që ka përballë. “Kemi objektivat tona, kemi për të bërë maksimumin, nuk ka mbarim. Ka fokus 100% në të gjithë ndeshjet pavarësisht se kë kemi përballë. Mund të jetë Franca, Greqia apo Andorra, nuk ka rëndësi, duhet të japim 100% në të gjitha ndeshjet”, tha mbrojtësi.
Më tej, ai u shpreh se është gati të aktivizohet pasi ndihet në formë. Ndërsa shprehet se krahu i majtë i mbrojtjes ka shumë konkurrencë. “Nuk e di, unë di vetëm punën time, do bëj stërvitje në maksimum dhe pastaj e ka në dorë trajneri. Nëse më ka në preferencë në krahun e majtë unë vetëm mund të jap maksimumin për çunat. Konkurrenca besoj se është gjë e mirë se mund të japësh edhe më shumë në çdo stërvitje, të japësh maksimumin. Trajneri ka më shumë opsione në krahun e majtë. Jam unë, Lenjani, Trashi, mendoj se mund të japim një dorë shumë të rëndësishme për ekipin kombëtar”.
Ndërkohë, nisur nga skema e trajnerit Reja, ajo 3-5-2, Hysen Memolla thotë se është gati të provojë të luajë sipas kësaj skeme, duke “dribluar” Trashin dhe Lenjanin. “Sot fola me disa lojtarë se me 3-5-2 nuk kam luajtur shumë, por me karakteristikat që kam mund të ndjehem mirë. Stërvitja është gjë tjetër e ndeshja është tjetër. Besoj se mund ta bëj, kam kuriozitet ta bëj e të shoh veten. Kam luajtur me Panuçin një herë aty, nuk jam ndjerë keq. Me karakteristikat që kam besoj se mund ta bëj atë rol e nuk ka problem”, tha Memolla.