Memolla “driblon” Trashin dhe Lenjanin për formacionin

AKTUALITET


Mbrojtësi Hysen Memolla foli në konferencë për mediat në prag të dy ndeshjeve që kombëtarja do të luajë kundër Andorrës dhe Francës. Memolla  u shpreh se skuadra duhet të japë 100%, pavarësisht kundërshtarit që ka përballë.  “Kemi objektivat tona, kemi për të bërë maksimumin, nuk ka mbarim. Ka fokus 100% në të gjithë ndeshjet pavarësisht se kë kemi përballë. Mund të jetë Franca, Greqia apo Andorra, nuk ka rëndësi, duhet të japim 100% në të gjitha ndeshjet”, tha mbrojtësi.

Më tej, ai u shpreh se është gati të aktivizohet pasi ndihet në formë. Ndërsa shprehet se krahu i majtë i mbrojtjes ka shumë konkurrencë. “Nuk e di, unë di vetëm punën time, do bëj stërvitje në maksimum dhe pastaj e ka në dorë trajneri. Nëse më ka në preferencë në krahun e majtë unë vetëm mund të jap maksimumin për çunat. Konkurrenca besoj se është gjë e mirë se mund të japësh edhe më shumë në çdo stërvitje, të japësh maksimumin. Trajneri ka më shumë opsione në krahun e majtë. Jam unë, Lenjani, Trashi, mendoj se mund të japim një dorë shumë të rëndësishme për ekipin kombëtar”.


Ndërkohë, nisur nga skema e trajnerit Reja, ajo 3-5-2, Hysen Memolla thotë se është gati të provojë të luajë sipas kësaj skeme, duke “dribluar” Trashin dhe Lenjanin.  “Sot fola me disa lojtarë se me 3-5-2 nuk kam luajtur shumë, por me karakteristikat që kam mund të ndjehem mirë. Stërvitja është gjë tjetër e ndeshja është tjetër. Besoj se mund ta bëj, kam kuriozitet ta bëj e të shoh veten. Kam luajtur me Panuçin një herë aty, nuk jam ndjerë keq. Me karakteristikat që kam besoj se mund ta bëj atë rol e nuk ka problem”, tha Memolla.




Skip to toolbar