Nga Eduard Zaloshnja
Shifrat e punësimit të INSTAT-it shiheshin me skepticizëm nga Banka Botërore në vitet e fundit të qeverisë Berisha. Ato rriteshin në mënyrë galopante nga një tremujor në tjetrin, duke arritur në 1.35 milionë të punësuar (për moshat 15 vjeç e sipër).
Pas ndryshimit të qeverisë në 2013, INSTAT-i bëri një rishikim të metodologjisë së matjes së punësimit. Si rrjedhim i atij ndryshimi metodologjik, u raportua se, në fakt të punësuar ishin 880 mijë, e jo 1.35 milionë. Por edhe kjo shifër u pa me skepticizëm nga Banka Botërore.
Qysh prej asaj kohe, i kam parë gjithnjë me dyshim shifrat e INSTAT-it mbi punësimin.
Por një sondazh që zhvillova në terren (me të anketuar të përzgjedhur me metodën rastësore nga Konispoli deri në Vermosh), në lidhje me sigurinë në familje, lagje, vend dhe rajon, më dha mundësinë të bëja një verifikim të pavarur të shifrës aktuale të punësimit që raporton INSTAT-i.
Meqënëse kampioni përfshinte në mënyrë proporcionale banorë të rritur të të gjitha moshave dhe dy gjinive, me banim në qytetë, rrethina qytetesh dhe fshatra, mu desh të pyesja për statusin e punësimit të tyre (i punësuar, i vetëpunësuar, fermer, i papunë, shtëpiake, pensionist, student, nxënës).
Dhe nga sondazhi më rezultoi se 55% e shqiptarëve të rritur janë të punësuar, vetëpunësuar ose fermerë. Që përkthehet në rreth 1.18 milionë banorë të rritur (2.15 milionë X 55%).
INSTAT-i, nga ana e tij, raporton se janë të punësuar aktualisht 1.27 milionë shqiptarë. Por ndryshe nga sondazhi i mësipërm, INSTAT-i e fillon llogaritjen nga mosha 15 vjeç (e sipër), e jo nga mosha 18 vjeç. Duke mbajtur parasysh këtë diferencë moshore, mund të thuhet se sondazhi i mësipërm ka prodhuar një llogaritje pothuaj identike si të INSTAT-it (nëse përjashtohen nga krahasimi moshat 15-18 vjeç).