Mero Baze: Fyerja reale që i bëjnë Lazaratit

Më të fundit


Partia Demokratike po përpiqet të nxisë një lloj debati denigrues rreth vlerësimit rutinë që faqja e udhëtimeve në Departamentin Amerikan të Shtetit, nuk ju rekomandon qytetareve amerikanë udhëtimin në Lazarat, duke e përshkruar si një vend të pasigurt.

Debati i nxitur nga opozitarët, nuk ka të bëjë me Lazaratin, as me emrin e tij . Debati synon të krijojë idenë e vendimeve të pamatura të SHBA, që “u bien më qafë demokratëve”, qysh pas futjes së familjes Berisha në “Listën e zezë”.


Në të vërtetë, praktika e njoftimeve për vendet e pasigurta brenda një territori nga Departamenti i Shtetit është shumë e njohur. Shpesh herë në atë faqe ne kemi parë që nuk rekomandohen kafene të caktuara në Tiranë, ku ne shqiptarët shkojmë për shtatë palë qejf, pa asnjë rrezik.

Kemi parë njoftime për mos shkuarje në qendra biznesi, ku ne shqiptarët shkojmë për qejf. Shpesh herë jemi habitur me njoftimet. Kjo vjen nga fakti se ato njoftime nuk bëhen për ne, por për qytetarë amerikanë, për të cilët shteti i tyre ka standard tjetër sigurie. Por nuk e kemi parë ndonjëherë PD të reagojë ndaj atyre njoftimeve.

Debati rreh futjes së Lazaratit në këtë listë, po bëhet për qëllime politike. Përpjekja për ta zhvlerësuar atë, nuk ka të bëjë as me rrezikun që mund të ketë dikush në Lazarat, as me arsyet që kanë bindur Departamentin e Shtetit për ta futur në atë listë.

Arsyet lidhen me Sali Berishën dhe mbrojtësit e tij, të cilët nuk lënë rast pa përdorur që të shtojnë hartën e njerëzve apo vendeve që janë “të pakënaqur” me vendimet e SHBA, qysh pas futjes së Berishëve në “Listën e zezë”.

Ky debati për Lazaratin është fiks një përpjekje për t’ia bashkëngjitur vendimit të Berishës, dhe për ta konsideruar madje si hakmarrje, meqë është vatër besnike e Berishës. Aq besnike sa ka votuar dhe Tritan Shehun.

Por kjo nuk është e vërtetë. Berisha dhe Lazarati janë dy gjëra të ndryshme. Berisha është në “Listën e zezë”, si minues i demokracisë në Shqipëri, si shantazhues i sistemit të drejtësisë dhe hajdut familjarisht i parave të shqiptarëve për shkak të shpërdorimit të pushtetit.

Lazarati është pasojë e politikës së Berishës, që e ktheu atë në një fshat simbol të kultivimit të kanabisit, dhe që instrumentalizoi më pas ndërhyrjet e policisë kundër kultivimit, duke i quajtur si hakmarrje politike meqë mbështesnin Berishën.

Berisha po e bën për herë të dytë këtë gjë. Më 2015, kur policia ndërhyri të çlirohej Lazarati nga grupet kriminale që e mbanin peng dhe t’i kthehej normalitetit, e quajti atë hakmarrje ndaj një fshati që mbështeste Berishën. Të njëjtën gjë po bën tani dhe me listën rutinë të Departamentit të Shtetit.

Në rastin e parë synonte t’i përdorte si mish për top kundër Edi Ramës, tani synon t’i përdorë si mish për top kundër SHBA.

Kjo është fyerja reale që i bëhet Lazaratit, nga një njeri që mendon se ata kanë lindur të vdesin dhe poshtërohen për Sali Berishën.




Skip to toolbar