Mero Baze: Hipokrizia e Kurtit me vrasjen e Xhemail Mustafës dhe “Lista Vjosa” që nuk guxon të hapë gojën

OPINION


Ndërsa përgatitej për koalicionin “Vetëvendosje – LDK” vitin e kaluar, Albin Kurti bëri një gjest që ra në sy, pasi shkeli mbi vetëveten.

Ai bëri homazhe për vrasjen e publicistit dhe veprimtarit të LDK, Xhemail Mustafa, vrarë në nëntor të vitit 2000, pas çlirimit të Kosovës.


Gjesti i Kurtit shikohej si një reflektim ndaj qëndrimit të tij të dyshimtë pro vrasjeve politike në Kosovë.

Prej vitit 1998 deri më 2002, kur vrasjet politike ishin problemi më serioz që rrezikonte paqen civile në Kosovë, përveç autorëve të vrasjeve, kishte një krah politik më fanatik se vetë vrasësit që i mbështeste ato dhe ky ishte Albin Kurti.

Me parimin enverist, që kundërshtarët janë tradhëtarë dhe duhen vrarë, ai e niste këtë paradigmë me Ibrahim Rugovën dhe e përfundonte me vartësit e tij.

Ndaj homazhet për Xhemail Mustafën u panë si një përpjekje për të reflektuar dhe për të hequr dorë nga qëndrimi i tij pro vrasjeve politike. Kjo u pasua nga shkuarja  e tij tek varri i Ibrahim Rugovës dhe përulja para tij e Isa Mustafës, për ta mbyllur ciklin e përshtatjes politike me LDK.

Por tani ka dalë një problem i ri. Një problem që më shumë se sa për të është për “Listën Vjosa” dhe slloganin e tyre “Guxo”.

Botimi i dosjes së UNMIK, tregon se së paku tre personalitete politike, “Komandat Drini”, Xhemail Mustafa dhe Fetah Rudi janë ekzekutuar nga një njësi e punësuar në Trupat Mbrojtëse të Kosovës, dhe kanë qenë badigardë të Rexhep Selimit, deri në fund deputet i “Vetëvendosjes” dhe funksionar i lartë i saj, sot i arrestuar nga Gjykata Speciale.

Tre vrasësit, pastaj janë vrarë hapur në një “aksident” të sajuar për të fshirë gjurmët, duke u përplasur me një kamion me targa Shkupi që nuk u gjet kurrë.

Është e qartë se roli Rexhep Selimit në këtë histori është kyç, edhe pse Albin Kurti dy muaj më parë i kërkoi Gjykatës Speciale ta lërë të lirë Rexhep Selimin se jepte Kurti garanci se do bashkëpunonte me drejtësinë.

Kjo tregon qartë se Albin Kurti e ka ditur problemin e Rexhep Sleimit dhe lidhjen e tij me vrasjen e Xhemail Mustafës dhe vrapoi para koalicionit me LDK, t’i çonte lule viktimës, në emër të vrasësit. Kjo është hipokrizi e tij për të cilën tani jemi më të qartë, si për shumë qëndrime të mëhershme të tij, që tani i ka fshirë.

Problemi është me dy gratë e shquara të LDK që janë në krah të tij. Vjosa Osmani e cila ka kauzë të saj zbulimin e të vërtetës të të vrarëve nga Serbia dhe betohet se pa gjetur atë të vërtetë nuk ka dialog me Serbinë. Mirë e ka!

Tani problemin e ka se duhet të gjejë të vërtetën e vrasjeve të zyrtarve të LDK nga partia ku ka hyrë si ushtare. Vrasësit i ka në seli, dhe me pak përpjekje mund t’i identifikojë me gisht. Se kollaj është të thuash s’ka dialog me Serbinë pa gjetur vrasësit, por ka bashkqeverisje me Kurtin që ka vrasësit në seli.

Mënyra se si “Lista Vjosa” do të pozicionohet ndaj fakteve të qarta të dosjes së UNMIK që provon se së paku tre ekzekutime janë kryer me të njëjtën armë, nga të njëjtët autorë që kanë qenë badigardë të Rexhep Selimit, drejtuesit të lartë të Vetëvendosjes.

Nuk kanë nevojë të pozicionohen në raport me Albinin, se ai ka qenë i qartë kush i ka vrarë, pasi vrapoi i pari të shprehte ngushëllime për Xhemail Mustafën. Duhet të pozicionohen në raport me “Vetëvendosjen” dhe qëndrimin e saj ndaj vrasjeve politike.

Të paktën të detyrojnë “Vetëvendosjen” të distancohet nga Rexhep Selimi si fillim. Ose të distancohen këto “Vetëvendosja”. Slloganin “Guxo” e kanë. Dhe guximi u duhet tani. Guxim të përballen me vrasësit që i kanë në të njëjtën seli.




Skip to toolbar