Nga Mero Baze
Në të vërtetë, arsyeja përse Lulzim Basha nuk ulet dot në tryezën për reformën zgjedhore, ka të bëjë më shumë me tryezën e partive opozitare, se sa me Damian Gjiknurin.
Ai është në hall çfarë t’iu thotë atyre, nëse ulet në tryezë, dhe jo se çfarë t’i thotë Gjiknurit.
Problemi që ka Lulzim Basha është se ulja në tryezë, i jep fund dhe zyrtarisht revolucionit që ka nisur në pranverë të këtij viti, dhe ai është ende i pasigurt për pasojat, nëse e pranon këtë gjë.
Kjo është arsyeja parimore. Arsyeja reale është se Edi Rama ja ka lënë në dorë opozitës, pra Bashës, propozimet për reformën zgjedhore, dhe Lulzim Basha nuk është gati t’ia lërë në dorë tekave të aleatëve të tij propozimet për reformë zgjedhore.
Ai në të vërtetë, dëshiron këtë sistem elektoral që është dhe nuk ka ndonjë vërejtje për të, pasi ky sistem i siguron autoritet në parti, ngaqë është autor i listës së deputetëve.
Nëse ai shkon në tryezë, atij do t’i duhet të përcjellë aty dëshirat e aleatëve të vet, që i ka marr më qafë duke i nxjerrë nga Kuvendi dhe që duan si shpërblim t’i rifusë përsëri në zgjedhjet e ardhshme, në listat e PD.
Pra ai është i rrethuar nga të gjitha anët.
Fillimisht nga Edi Rama, që e pret në tryezë duke i lënë një karrige në krah të Rudina Hajdarit. Pastaj nga aleatët e vet, që i kërkojnë të ndryshojë sistemin. Dhe në fund, edhe nga Berisha, që i thotë po të pashë në atë tryezë, gjej vend e futu.
Në këto kushte, i vetmi shpëtim i Lulzim Bashës është të bëjë sikur vazhdon të jetë në revolucion, dhe nuk ulet në tryezë me… Damian Gjiknurin.
Për hir të së vërtetës, nëse do të respektojë revolucionin e dështuar qa ka nisur në pranverë, ai duhet të vazhdojë betejën me Edi Ramën. Se zëvendësimi i lëvizjes “Rama ik” me “Gjiknuri ik”, e bën të dështuar qysh në fillim revolucionin.
Kjo i bie që Basha nuk ka më problem me Ramën, por me njerëz të tjerë brenda PS, dhe po përpiqet të përzgjedhë partnerët e vet brenda PS.
Po të jetë kështu, Rama e ka bërë me kohë këtë gjë, se i ka partneret e vet në PD në Parlament, por është treguar pak më zemërgjerë, dhe u ka lënë një vend dhe të vetëpërjashtuarëve.
Për këtë arsye, kjo lëvizja “Gjiknuri ik” duket qesharake në shumë aspekte. Por mbi të gjitha, shumë dëshpëruese për demokratët dhe goxha vlerësuese për Damianin, i cili për pak po besonte se nuk ja varte më njeri.