Mero Baze: Pse opozita nuk zbutet nga lavdërimi i ambasadores për Bashën?

OPINION



Mënyra se si pjesa më e madhe e opozitës reagoi ndaj nderimit që SHBA i bëri gjyqtarit Dvorani, dhe akoma më shumë, mënyra se si e njëjta pjesë e opozitës reagon ndaj dashamirësisë që ambasadorja e SHBA tregon ndaj Lulzim  Bashës, tregon se baza e opozitës është më shumë e shqetësuar pse SHBA shënjestron Ilir Metën dhe Sali Berishën, se sa që respekton Lulzim Bashën.

Reagimi ndaj nderimit të Dvoranit ishte gati histerik. Askush nga opozita nuk ka ndonjë problem me Dvoranin, as me të shkuarën e tij si gjyqtar.


Ai nuk ka qenë protaganist publik i ndonjë gjyqi të famshëm, përveç dy gjyqeve, atij të “Gërdecit”, dhe atij të Ilir Metës.

Vetëm pse ai është në konflikt me Ilir Metën për kontrollin e reformës në drejtësi dhe me Sali Berishën për shkak të djalit të tij, është kthyer automatikisht në një figurë të urryer për opozitën, e cila ka sulmuar me një gjuhë talebane, SHBA-në.

Ky mllef ndaj SHBA për nderimin e Dvoranit dhe injorimi i respektit ndaj Bashës, identifikon lidershipin real të opozitës dhe tregon se kush e udheheq atë.

Kjo gjë forcohet dhe më shumë pas takimit të sotëm të ambasadores së SHBA Yuri Kim, me kryetarin formal të Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Sipas ambasadores amerikane, ajo i ka kërkuar Bashës të mos kandidojë persona problematikë në listat e koalicionit, pasi Basha ka bërë aleancë me dy parti që kanë ofruar më parë elementë të inkriminuar në politikë, një familje në Shkodër, gjysma e së cilës është në kërkim, kurse partia e tyre në aleancë me PD, dhe tjetra partia e Mark Frrokut.

Por përtej kësaj, ambasadorja ka thënë fjalë të mira për Lulzim Bashën dhe ka deklaruar se ka dëgjuar dhe programin e PD prej tij.

Kjo gjë në vend që t’i gëzonte, i ka egërsuar dhe më keq opozitarët, duke e quajtur atë një truk diplomatik të ambasadores, të cilës nuk i falin faktin që ka propozuar Dvoranin si një nga 12 personalitetet ndërkombëtare në betejën antikorrupsion në drejtësi.

Pra në një fare mënyre, baza fanatike e opozitës, nuk do t’ia dijë fare për fjalët e mira të SHBA për Lulzim Bashën. Ata i ka tërbuar fakti që SHBA ka nderuar një armik të Berishës dhe Ilir Metës.

Kjo tregon shumë se kush e udhëheq opozitën, kush e frymëzon atë dhe mbi të gjitha, kush dikton kursin anti-Perëndimor të saj.

Lulzim Basha pas këtyre reagimeve ngjan vërtet një kukull, të cilin të vetët, nuk e llogarisin as kur do të duhet të mburreshin që SHBA ua lavdëron kryetarin.

Në fakt ata janë më të mërzitur që SHBA ua ka fyer kryetarin e tyre real Sali Berisha dhe aleatin e tij Ilir Meta. Dhe nuk u hyn në sy lavdërimi për Lulin. Nuk i përfaqëson ata.