Ilir Meta ka uruar Kryeministrin e sapozgjedhur të Greqisë, Kyriakos Mitsotakis. Meta shprehet se ka zhvilluar një bisedë telefonike me kreun e ri të qeverisë në shtetin fqinj, që u shpall fitues në zgjedhjet e 7 korrikut. “Kënaqësi t’i uroja sot gjatë një bisede telefonike, shumë suksese, kryeministrit të ri të Greqisë, z.Kyriakos Mitsotakis. Shpresëplotë se marrëdhëniet mes dy shteteve tona do të fuqizohen akoma më shumë në interes të dy popujve tanë. Progresi i Greqisë është shumë i rëndësishëm për të gjithë shqiptarët që jetojnë atje dhe për të ardhmen e përbashkët evropiane”, shkruan Meta në facebook.
Ndërohë, më herët kreut të ri të qeverisë greke, i ka përcjellë urime edhe ish-ministri i jashtëm Ditmir Bushati. “Urime Mitsotakis dhe Demokracia e Re për fitoren. Si anëtare me përvojë e BE, Greqia ka një rol të rëndësishëm në integrimin evropian të rajonit tonë. Besojmë se lidhjet do të forcohen më tej në dobi të vendeve dhe popujve tanë”, shkruan Bushati në urimin e tij për Kyriakos Mitsotakis.
Greqia zhvilloi zgjedhjet e parakohshme të dielën, fituese nga të cilat doli partia Demokracia e Re e kryesuar nga ish-bankieri, Kyriakos Mitsotakis. Të hënën në mesditë kreu i ri i qeverisë greke bëri betimin, ndërsa të martën pritet të prezantohet dhe qeveria e re.