Meta në kolegjin e NATO-s: Politika e ‘Dyerve të Hapura’ edhe për vendet e tjera të Ballkanit

Më të fundit


Në kuadër të 10-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, Presidenti i Republikës, Ilir Meta, zhvilloi një vizitë si i “Ftuar i Nderi” në Kolegjin e Mbrojtjes së NATO-s, në Romë.

Gjatë fjalës së tij në auditorin e Kolegjit, Presidenti Meta nënvizoi se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO përbën një ngjarje me rëndësi historike jo vetëm për Shqipërinë por edhe për rajonin e Ballkanit Perëndimor e njëkohësisht është një përgjegjësi e madhe për t’i shërbyer paqes, stabilitetit dhe sigurisë së rajonit tonë, në Mesdhe dhe më tej.


“Shqipëria është e gatshme të marrë të gjitha përgjegjësitë që i kërkohen, veçanërisht në përmbushjen e rolit të saj të pazëvendësueshëm si faktor stabiliteti në rajon, si promotore e palodhur e bashkëpunimit dhe integrimit rajonal, si mbështetëse e vendosur e politikës së ‘Dyerve të Hapura’ të NATO-s dhe si partnere strategjike e Aleancës përmes një politike të jashtme koherente dhe të besueshme. Shqipëria është një partner i besueshëm i NATO-s dhe lider në të gjitha nismat rajonale me qëllim rritjen e masave të besimit mes vendeve të rajonit, forcimin e bashkëpunimit dhe ndarjen e përvojës së saj të anëtarësimit. ” – ka thënë Meta

Meta foli edhe për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut por edhe Kosovës si një domosdoshmëri për sigurinë dhe qëndrueshmërinë e rajonit të Ballkanit.

“Ne jemi të bindur se anëtarësimi i Malit të Zi në NATO ishte veprimi i duhur dhe i domosdoshëm me impakt rajonal dhe gjeostrategjik. Aleanca provoi fuqinë, forcën dhe vendosmërinë e saj duke sfiduar me sukses përpjekjet serioze që synonin dështimin e këtij procesi. Jemi të lumtur sot për përfundimin e sagës së gjatë të mosmarrëveshjes mes Greqisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut, sepse jam i bindur se anëtarësimi i vendit tonë fqinj në NATO dhe në Bashkimin Europian është një gur tjetër themeli për sigurinë dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor. Shqipëria mendon se përshpejtimi i hapave të Kosovës dhe vendeve të mbetura të rajonit drejt NATO-s dhe Bashkimit Europian do t’i shërbente jo vetëm sigurisë dhe qëndrueshmërisë afatgjatë të Ballkanit por edhe bashkëpunimit dhe zhvillimit ekonomik dhe rritjes së investimeve të huaja, kryesisht nga vendet e Aleancës dhe të Bashkimit Europian.” – tha Meta




Skip to toolbar