Meta “rrëzohet” 4 herë në Kuvend

AKTUALITET


Kuvendi ka rrëzuar dekretet e presidentit Meta për kthimin mbrapsht të 4 ligjeve të miratuara nga parlamenti. Komisioni Parlamentar i Ekonomisë ka marrë në shqyrtim gjatë mbledhjes së të martës dekretet e presidentit Meta për “Për privatizimin dhe dhënien në përdorim shoqërive tregtare” dhe ligjin për Koncesionet dhe PPP-të.

Që të dy këto dekrete janë rrëzuar nga Komisioni i Ekonomisë. Për ligjin për privatizimin, deputetja e Evis Kushi tha se argumentet e Presidentit janë të pa bazuara, duke propozuar që ky dekret të mos miratohej.

“Ligji që në miratuam thjesht i përgjigjet një problematike. Argumenti i presidentit lidhet me pretendimin se është në kundërshtim flagrant me linjën e vitit 2001 dhe kështu mund të bëjë rrezik për konflikt institucional. Ligji i vitit 2001 e përmban këtë gjë. Ligji që ne miratuam është ligj i veçantë dhe në këtë aspekt plotësohet kushti i dytë se tjetërsimi i pronave përcaktohet nga këshilli bashkiak. Ky komision ka bërë ndryshimet përkatëse ku përcaktohet se pjesa shtetërore nuk duhet të jetë më shumë se 20%”, është shprehur deputetja Kushi.

Ndërsa deputeti i opozitës Korab Lita i cili ishte i vetmi që votoi kundër për rrëzimin e këtij dekreti tha se opozita nuk duhet të bëhet pjesë e aferave.

“Ka argumente sa të duash për të kthyer ligje. E përshëndes veprimin e presidentit. Por deri dje i ka lejuar se ka qenë me ju. Jo se besoj tek vendosmëria e presidentit për të luftuar korrupsionin por gjithsesi ftoj kolegët e opozitës të mos bëhen pjesë e këtyre aferave dhe të votojnë pro dekretit të presidentit”, është shprehur Lita.

Në përfundim komisioni vendosi ta rrëzojë dekretin e Metës me 11 vota pro dhe 1 kundër.

Komisioni gjithashtu ka marrë rrëzuar edhe dy dekretet e tjera të Metës për kthimin mbrapsht të ligjit për ndërtimin me koncesion të segmenteve rrugore Orikum – Dukat dhe Milot- Balldren.

Gjatë muajve të verës presidenti Meta i përdori dekretet si një armë të ftohtë për të luftuar qeverinë dhe maxhorancën duke kthyer së paku 9 ligje të miratuara nga kuvendi.

Realstory bëri një fact-checking dhe rezultoi se presidenti Meta ka thyer rekord me dekretet, pasi në 2 vjet ka kthyer më shumë se Nishani në 5 vjet.

Realstory ka shkruar më herët se dekretet e Metës do të rrëzohen me nisjen e sesionit të ri parlamentar pasi maxhoranca i ka votat e mjaftueshme për të votuar kundër tyre dhe për të zhvlerësuar vendimet e presidentit që pritet të shkarkohet së shpejti. Pikërisht këtë e vërtetuan vendimet e Komisionit të Ekonomisë që vendosi të rrëzojë 4 dekrete të presidentit Meta.



Skip to toolbar