Meta trembet nga Venecia, nis seriozisht mbrojtjen

#NËRADAR


Pak orë pasi delegacioni i Komisionit të Venecias përfundoi vizitën zyrtare në Tiranë, Ilir Meta, si asnjë zyrtar tjetër në vend, që zhvilloi takime me këtë delegacion, doli në një konferencë për shtyp, e cila zgjati rreth 1 orë  e 30 minuta. Ndryshe nga herët e tjera, Meta e nisi konferencën ulur, me shumë letra dhe me seriozitet (të cilin e humbi në fund të konferencës). Kulmi i seriozitetit në fakt ishte në momentin që kreu i shtetit sqaroi takimin që zhvilloi të martën me delegacionin e Komisionit të Venecias, që mbrriti në Tiranë në kuadër të përgatitjes së opinionit në lidhje me shkarkimin e Presidentit nga Parlamenti.

Meta, duket i ‘trembur’ paraprakisht nga një opinion jo në favor të tij nga Komisioni i Venecias, ka bërë një analizë të gjatë ligjore e kushtetuese për vendimet e tij të muajit qershor. Gjatë fjalës së tij, Meta u shpreh se ‘unë përfaqësoj shtetin e së drejtës’ në të gjitha aktet si President. “Ju dëgjoni shqiptarët, se jetojmë në dy shtete, në shtetin e propagandës dhe të drejtës. Unë besoj se përfaqësoj shtetin e së drejtës me të gjitha aktet e mia si president. Në shtetin e propagandës, thuhet që presidenti nuk ka të drejtë të çdekretojë dhe ju me të drejtë thoni a ekziston fjala çdekretim? Jo nuk ekziston. Dhe ju thoni ore si çdekretoi ky? Unë nuk kam çdekretuar. Unë kam të drejtë të nxjerr dekrete”, u shpreh Meta.

Në këtë mënyrë, për herë të parë, Ilir Meta përmend se nuk ka ‘çdekretim’ por ‘dekretim’ të cilin, sipas tij e ka detyrë ekskluzive. Megjithatë, ndonëse Kushtetuta nuk parashikon shtyrje të datës së zgjedhjeve në asnjë pikë të saj, Meta e cilësoi këtë si ‘dekret’ për ‘shfuqizim dekereti’, duke e krahasuar me të drejtën që ka Këshilli i Ministrave për shfuqizimin e VKM-ve apo Kuvendi për të votuar ligje për shfuqizim ligjesh të mëparshme.

“Kuvendi i Shqipërisë ka të drejtë të nxjerrë ligje. Qeveria vendime. Unë kam të drejtë të nxjerr një dekret për të shfuqizuar dekretin tim të mëparshëm. Parlamenti ka të drejtë të nxjerrë ligj që shfuqizon të mëparshmin, qeveria ka të drejtë të nxjerrë një vendim për të shfuqizuar të mëparshmin. Nëse edhe unë do bëhesha pjesë e shtetit të propagandës, dhe mua më vjen keq se si juristët bëjnë sikur nuk e dinë, po të shkojnë qytetarët në Gjykatën e Strasburgut, do të na shqepi me gjoba gjykata e Strasburgut”.

“Në rast se ata flasin për çdekretin, kur në fakt kemi të bëjmë me dekret që shfuqizon dekretin. Unë mund t’i përgjigjesha, që edhe parlamenti nuk ka të drejtë të çligjërojë, apo qeveria të çvendërojë, sepse këto terma nuk ekzistojnë. E gjitha kjo është një lojë propagandistike që njerëzit të thonë ore vërtetë mos ka shkelur kushtetutën ky?! Komisioni i Venezias është i rëndësishëm dhe nuk bazohet në propagandë por i shërben ose i ka shërbyer deri më tani forcimit të shtetit të së drejtës dhe sundimit të ligjit”, tha Meta.

Ndërkohë, në kushtet kur Komisioni i Venecias do të marrë një vendim përfundimtar për të dhënë opinionin e tij në lidhje me vendimet kushtetuese ose jo të Presidentit, Ilir Meta, u shpreh se të gjitha dokumentet që i ka dorëzuar këtij komisioni, do t`i bëjë publike edhe për qytetarët. Sipas Presidentit, ky veprim do të bëhet me qëllim që qytetarët, por sips tij, dhe ekspertët e fushës brenda dhe jashtë vendit, të japin opinione dhe të ‘pasurojnë’ këto argumente me mendime.

“Dua të falënderoj përzemërsisht Kuvendin për respektin që tregon ndaj Komisionit të Venecias. Bashkëpunimi i Presidentit me Komisionin e Vencias do të jetë i shkëlqyer dhe transparent. Për këtë arsye ne u kemi dhënë një raport paraprak lidhur me disa pyetje që Kuvendi u ka drejtuar. Këto dokumente do të jenë publike në faqen zyrtare të Presidentit të Republikës, pasi të bëhen dhe disa saktësime. Këto dokumente do të jenë të hapura për t`u pasuruar me mendime dhe vrejtje nga juristë dhe specialistë vendas dhe të huaj. Gjithçka do të jetë në dispozicionin jo vetëm tuajin por dhe mbarë opinionin publik, dhe të gjitha institucioneve ndërkombëtare. Është një sfidë që unë e mirëpres”, tha Meta ndër të tjera./Realstory.al/



Skip to toolbar