Mihali i dhunoi për dy peshq, vajza e biznesmenti spanjoll tregon tmerrin e grushteve të Kokëdhimës

AKTUALITET


Të tjera detaje kanë dalë në dritë nga ngjarja e rëndë e disa ditëve më parë, ku Mihal Kokëdhima, pronari i ish-restorant “Panorma” në Sarandë, dhunoi një familje me turistë spanjollë. Report tv ka publikuar dosjen hetimore të Prokurorisë së Vlorës për ngjarjen në fjalë.  Në këtë dosje janë zbardhur deklarimet e bëra nga shoferi i furgonit, që transportonte familjen spanjolle dhe guditën e tyre shqiptare, si dhe vajza e Eugenio Galdon, turistit milardier nga Spanja që ra preh e dhunës së Mihal Kokëdhimës. Para hetuesve në Vlorë, Kristina Romero, vajza e biznesmenit spanjoll, ka treguar me detaje gjithë dinamikën e ngjarjes, që nga ulja në tavolinë, porosia në restorant dhe shkaku i konfliktit. Ajo ka treguar se në restorantin e Mihal Kokëdhimës u ulën rreth “orës 13:30” dhe se “babai i saj, (Eugenio), kishte shkuar për të porositur peshkun së bashku me pronarin, Mihal Kokëdhima”.

Pasi familja spanjolle dhe shoqëruesit e tyre shqiptarë kanë dhënë porosinë, në tavolinë, sipas rrëfimit të vajzës së milardierit spanjoll, ka shkuar kamarieri. Punonjësi i shërbimit të restorantit, u kishte sugjeruar spanjollëve që të merrnin 5 peshq, nga 7-të që kishin porositur, pasi peshqit ishin të mëdhenj. Por, pas këtij momenti ka shkuar në tavolinë Mihal Kokëdhima, i cili ka goditur me grushte tavolinë duke bërtitur.

“Pastaj pronari erdhi menjëherë nga kuzhina duke bërtitur guidës në gjuhën shqipe dhe goditi me grushte tavolinën…Pastaj guida na shpjegoi se çfarë kishte ndodhur dhe na rekomandoi të kërkonim një vend tjetër…ne ramë dakord me vendimin e tij dhe e ndoqëm shoqëruesin jashtë restorantit, ku ndodhej i parkuar fugoni…unë dëgjova një burrë që ishte duke bërtitur dhe u ktheva mbrapa dhe pashë pronarin e lokalit, personi i cili ishte me bluzë blu po vinte drejt shkallëve për tek shoqëruesi dhe më pas e ka kapur shoqëruesin nga bluzja dhe e shtyu drejt fugonit të parkuar aty. Më pas vëllai im, i cili quhet Jaime, u përpoq t’i ndante dhe ka mbajtur personin me bluzë blu…. Më pas shoferi u ngjit nga shkallët dhe gjithashtu u përpoq t’i ndante shoqëruesin dhe pronarin e lokalit sepse ai ishte ende duke mbajtur djalin e guidës nga bluza. Më pas shoferi ndërhyri duke mbajtur personin me bluzë blu, por ai ka goditur Jaime në pjesën e brinjëve me grushte, kështu që babi im ndërhyri duke u përpjekur t’i ndante ata. Eugenio, u godit me grushte në pjesën e gojës dhe në brinjë. Në këtë moment, personi me bluzë blu e kishte lëshuar guidën pasi po mbahej nga shoferi, Eugenio dhe Jaime e panë se shoferi po ja dilte mbanë për t’i ndarë dhe ata u larguan të dy”, ka deklaruar në prokurori vajza e spanjollit.

Më pas ajo ka treguar dhe momentin e tmerrit, kur familja e saj dhe shoqëruesit shqiptarë, janë rrethuar nga djali dhe kamarierët e pronarit të lokalit, Mihal Kokëdhima. Ajo rrëfen gjithashtu edhe çastin e largimit nga restoranti dhe kërcënimet e vazhdueshme të Mihalit.

“Më pas pronari filloi të bërtiste në gjuhën shqipe dhe një grup njerëzish, shumica burra dhe shumë të fuqishëm u shfaqën aty… shoqëruesi jonë na tha të futeshim në furgon…shoqëruesi arriti të futej në fugon dhe të mbyllte derën, edhe shoferi gjithashtu…Pronari në këtë moment u shtri para fugonit dhe pjesa tjetër e njerëzve bërtisnin dhe godisnin fugonin. Më pas pronari u ngrit dhe u përpoq të hapte derën, ai ishte së bashku me një djalë të ri duke u përpjekur të hapte derën e shoferit. Ne pamë se nuk kishte njeri përpara fugonit dhe i bërtitëm shoferit që nisu…Në këtë çast, një burrë kërceu përpara fugonit duke ardhur nga ana e majtë, pas pak sekondash unë njoha pronarin, ai ishte personi i cili kishte hipur në xhamin e parë të makinës, ai godiste xhamin dhe vazhdonte të bërtiste. Mbas pak sekondash shoferi ndaloi në anë të rrugës dhe bërtiti në gjuhën shqipe “…largohu…”, por ai vazhdonte të godiste xhamin e parë me grushte në pjesën ku guida ishte ulur, ne ishim shumë të frikësuar dhe bërtisnim, në këtë moment shoferi na tha filmojeni. Më pas unë kam filmuar gjithçka me telefonin tim, pronari vazhdoi të godiste xhamin derisa arriti ta thyente atë…Mbasi ai arriti të thyente xhamin me dorën e majtë, ai u mbajt nga kroskoti dhe filloi të godiste xhamin me dorën e djathë, përpara kësaj ai bëri një telefonatë…Ai pastaj e përdori telefonin për të goditur xhamin me dorën e djathë, ai dëmtoi veten, pra duart dhe gjaku spërkati xhamin. Shoferi kishte bërë shumë ndalesa dhe u përpoq ta detyronte personin të zbriste nga makina. Më pas guida u frikësua shumë dhe pronari vazhdonte të godiste xhamin, guida e goditi në dorë disa herë pasi dora ishte në makinë. Në një moment shoferi ka ndaluar duke menduar se pronari kishte rënë dakord të largohej, por ai vazhdonte të qëndronte atje dhe të bërtiste…Mbas kësaj nuk mbaj mend, por është e gjitha në video që ju kam dorëzuar”, ka përfunduar vajza. Për këtë ngjarje janë marrë në pyetje të gjithë personat e përfshirë, ndërsa është zbardhur dhe dëshmia e shoferit të mjetit, i cili ka të njëjtin qëndrim me vajzën e biznesmenit spanjoll.



Skip to toolbar