Ministri i Brendshëm i Kosovës: Jo të gjithë policët serbë dhanë dorëheqje!

KOSOVA


Për ministrin e Brendshëm të Kosovës, Xhelal Sveçla, të paktën gjysma e policëve tashmë të larguar serbë, të cilët kanë dhënë dorëheqje si revoltë ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat dhe supsendimit të ish-komandantit të Policisë së Kosovës në Mitrovicën e Veriut, Nenad Gjuriç, nuk i kanë shërbyer Kosovës, por Serbisë.

Sipas tij një pjesë e policëve serbë, kanë lëshuar detyrën nën presionin e madh të Serbisë.


Megjithatë sipas tij jo të gjithë nga ata kanë rënë pre e këtij presioni.

“Ka serbë që s’kanë dhënë dorëheqje në Veri. T’i shohim gjërat qartë, numri i policëve që kanë dhënë dorëheqje nuk është i vogël, 578. Por, në realitet numri i policëve që i kanë shërbyer rendit dhe ligjit, që i kanë shërbyer Kosovës, ka qenë shumë më i vogël”, ka deklaruar Sveçla në një intervistë për T7.

Ai më tej ka bërë të ditur se ish-komandanti i Policisë në Veri, Nenad Gjuriç, dhe të gjithë të dorëhequrit e tjerë nuk do të mund të kthehen më në Policinë e Kosovës.

“Nuk ka më gjasë të kthehen në Policinë e Kosovës, ata edhe ashtu kanë qenë nën hetim. Nenad Gjuriç më nuk mundet të kthehet në Policinë e Kosovës”.

Sipas tij në Veri momentalisht ka mjaftueshëm policë që punojnë me vullnet të jashtëzakonshëm që ta mirëmbajnë situatën në këtë pjesë të vendit.

E ndërsa të larguarit, sipas Sveçlës do të zëvendësohen së shpejti.

“Do të hapim konkurs në momentin që kjo çështje do të rregullohet, në bazë të rregullores”, ka deklaruar ai.

“Lista Serbe” vendosi të shtunën e 5 nëntorit që pjesëtarët e saj të largohen nga institucionet e Kosovës.

Kjo, pas një takimi të zhvilluar në mesditën e së shtunës në Zveçan.

Serbët nuk do të kthehen në institucionet e Kosovës deri në momentin kur Qeveria e Kosovës do të tërheqë vendimin për targat dhe fillon formimin e Asociacionit për komunat me shumicë serbe.

Kryetari i Listës Serbe (njëkohësisht ministri për Komunitete dhe Kthim), Goran Rakiç, u dorëhoq nga pozita të cilën e ka drejtuar pak më shumë se një vjet e gjysmë.

Edhe Igor Simiç, i cili është deputet në radhët e Listës Serbe ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë.

Serbët kanë vendosur që të largohen edhe nga gjyqësori, Policia, Dogana.

“Ne kemi vendosur të largohemi nga të gjitha institucionet politike, Kuvendi, Qeveria, dhe nga katër komunat në veri të Kosovës, por edhe që të largohen serbët nga gjyqësori, policia si dhe stafi administrativ në katër komunat në veri”, theksoi Rakiç pas takimit.




Skip to toolbar