Ministria e Bujqësisë mbron Peleshin: Silicon Mix nuk është i dëmshëm

AKTUALITET


Ministria e Bujqësisë ka reaguar në lidhje me akuzat ndaj ish-ministrit të Bujqësisë Niko Peleshi për lëshimin e urdhrit të përdorimit të pesticidit Silicon Mix, i cili në shumë mediat është cilësuar si i dëmshëm. Ministria e Bujqësisë ka deklaruar se në fakt ky pesticid jo që nuk është i dëmshëm, por dobia e tij është e pranuar edhe në protokollet e avancuara të bujqësisë organike.

Duke u referuar dokumentacionit të venë në dispoizion nga AKU, produkti “Silikon mix” është pleh gjethor me emërtimin EC fertilizer, që përdoret gjerësisht në bujqësi. Referuar legjislacionit shqiptar, i cili është edhe i përafruar me atë të Bashkimit Evropian, plehrat EC Fertiliser janë të lejuar të qarkullojë lirisht në Shqipëri.  Efekti i këtij plehu i përdorur sipas kritereve, jo vetëm që nuk është i dëmshëm , por dobia e tij është e pranuar edhe në protokollet e avancuara të bujqësisë organike.” – thuhet në deklaratë.


Ministria ka sqaruar gjithashtu se shkresa e dalë në media nuk është urdhër për zhbllokimin e këtij produkti, por një shkresë e zakonshme mes dy institucioneve dhe se kur kjo shkresë shkon të firmoset tek ministri, i ka kaluar të gjitha filtrat teknike në lidhje me produktet që ndodhen në to. Pra nuk bëhet fjalë për asnjë urdhër për lirimin e plehut kimik, por për një shkresë që Niko Peleshi i drejtonte më 16 Maj të vitit 2018 drejtorit të atëhershëm të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, Agim Ismailit, në të cilën i kërkohet te zbatohet ligji në fuqi dhe i sqarohet se plehu Silicon Mix –EC Fertilizer mund të futet lirisht në vendin tonë, sepse kështu e thotë ligji.

Dua të sqaroj publikun se praktika, nga ana administrative ka kaluar të gjitha filtrat teknike dhe burokratike të administratës, e cila në fund firmoset nga ministri. Theksojmë se shkresa e përhapur në media me firmën e ish ministrit Peleshi nuk është urdhër por është një shkresë e zakonshme korrespondence mes dy institucioneve e cila udhëzon zbatimin e ligjit.” shkruhet ndër të tjera në deklaratën e Ministrisë së Bujqësisë, ku sqaron se ky produkt është tërësisht i dobishëm për bimën dhe nuk ka asnjë efekt negativ në shëndetin e njeriut.

Pra edhe njëherë, qarkullimi i këtij produkti në Republikën e Shqipërisë është plotësisht i lejuar nga legjislacioni dhe pa asnjë diskutim i dobishëm për bimën dhe pa asnjë efekt negativ për shëndetin e njeriut. “ thotë Ministria e Bujqësisë, e cila kërkon nga të gjithë aktorët e të informimit të publikut të jenë të kujdesshëm në trajtimin e rasteve që kanë të bëjnë me sigurinë ushqimore pasi padashur mund të krijojnë alarme të pavërteta në publik.  

Disa ditë më parë, edhe specialisti Pëllumb Pipero ka kërkuar nga mediat që të mos përhapin panik pasi në asnjë referencë nuk rezulton që “silikon miks” të jetë i dëmshëm për shëndetin e njeriut.




Skip to toolbar