Gjatë këtij sezoni turistik në qytetin e Sarandës nuk do të ketë asnjë ndërprerje të energjisë elektrike për shkak se janë realizuar investimet nga OSHEE. Deklarata është bërë nga vetë ministrja e
Energjisë, Belinda Balluku, e cila inspektoi një prej investimeve të realizuara së fundmi në Sarandë.
Në tre vitet e fundit OSHEE ka investuar në këtë rreth afro 700 milionë lekë duke përfshirë ndërtimin e tre fiderave të rinj me rrjet 20 kV, ndërtimin e disa kabinave si dhe shtrimin e kabullit ABC.
“Është shumë e rëndësishme që gjatë sezonit të mos ketë ndërprerje. Sigurisht ngarkesa është shumë më e madhe pasi vizitorët këtu tejkalojnë dhe numrin e banorëve. Ju jeni të impenjuar për ta bërë këtë megjithatë përmes investimeve të reja ne kemi bërë shumë ndryshime sidomos ato që janë bërë në zonën e Sarandës qytet dhe zonën e Ksamilit dhe gjithçka kemi parashikuar për të ardhmen”, nënvizoi Balluku.
Në qytetin e Sarandës por edhe zonat përreth, janë ulur ndjeshëm humbjet në rrjet. Në vitin 2013 humbjet në rrjet ishin në nivelin e 44 përqind ndërkohë që muajin e muajin e kaluar ishin 11 përqind. Ndërsa në bazë vjetore humbjet në rrjet në Sarandë janë në nivelin e 14.7 përqind.