Miratimi i ndryshimeve kushtetuese, Rama: S’ndalemi, asnjë pakicë s’e merr dot peng shumicën kushtetuese

AKTUALITET


Pas votimit në parlament dhe reagimit të opozitës jashtë parlamentit për ndryshmit kushtetuese, kryeministri Rama reagoi me anë të një postimi në Twitter.

Ai i bën thirrje opozitës jashtë parlamentit që të ulen me PS-në për të punuar për reflektimin në Ligjin Zgjedhor të risive kushtetuese, ndërsa thekson se qeveria nuk do të ndalet, pasi është zgjedhur për të qeverisur vendit.


Rama shkruan se konsensusi është i mirëseardhur, po asnjë pakicë nuk e merr dot peng shumicën.

“LBPD&CO duhet të ulen menjëherë me PS dhe opozitën parlamentare për të punuar për reflektimin në Ligjin Zgjedhor të risive kushtetuese! Ato s’janë më projekt, po pjesë e Ligjit Themeltar të Republikës sonë dhe janë të detyrueshme për të gjithë ne, pa dallim! Prandaj në punë.

Ne nuk ndalemi sepse nuk jemi zgjedhur për t’i shkuar mbrapa atyre që ikin në drejtim të paditur, po për të udhëhequr Shqipërinë e shqiptarët në rrugën e të ardhmes. Në tryezë na ul përgjegjësia ndaj vendit dhe popullit, arsyeja e kultura jonë demokratike, jo dënglat kërcënuese!

S’ka kohë për të humbur. Puna duhet të fillojë nesër. Kush nuk vjen në tryezë mbetet jashtë vendimmarrjes. Konsensusi 100% është i mirëseardhur, po asnjë pakicë s’e merr dot peng shumicën kushtetuese në këtë proces – vota e sotme duhet të mjaftojë për të mos e provuar prapë”.




Skip to toolbar