Pas diskutimeve, Kuvendi miratoi rezolutën për mbështetjen e nisjes së bisedimeve për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.
104 deputetë votuan pro rezolutës së propozuar nga dy deputete, nga Senida Mesi e PS dhe nga Rudina Hajdari e PD.
Rezoluta shpreh angazhimin e kuvendit të Shqipërisë për nxitjen e reformave integruese; për vijimin e dialogut gjithëpërfshirës për realizimin e reformës zgjedhore dhe bashkëpunim mes partive politike, si e vetmja mënyrë për të ecur në rrugën e integrimit europian.
Gjatë seancës së të enjtes deputetët kanë miratuar edhe kërkesën e Komisionit Hetimor për Metën për zgjatjen e punimeve me dy muaj, deri ne datën 8 dhjetor. Kuvendi votoi me 103 vota pro, asnjë kundër dhe 3 abstenim për të zgjatur punimet për Komisionin Hetimor. Komisioni kërkoi zgjatje të afatit të punimeve për të marrë kohë që të japë një vendim mbi presidentin Ilir Meta, pas publikimit të Opinionit të Venecias me datë 11 Tetor.
Në mbledhjen e fundit të tij, Komisioni Hetimor Parlamentar miratoi me shumicë votash që t’i kërkojë seancës parlamentare zgjatjen me dy muaj të afateve të punimeve të tij, në mënyrë që të presë raportin final të Komisionit të Venecias. Kryetari i Komisionit Ulsi Manja propozoi që afati të zgjatet me dy muaj, duke argumentuar se raportet e Venecias janë voluminoze dhe kërkojnë përkthim cilësor dhe studim të kujdesshëm nga ana e anëtarëve të këtij komisioni ndaj dhe do të duhet që afati të zgjatet për dy muaj.
Deputeti socialist Alket Hyseni tha se vendimi i Komisionit Hetimor për shkarkimin e Metës mund të merret më 29 shtator, në festën e Çlirimit të vendit duke shtuar se “në këtë mënyrë çlirojmë dhe institucionet”. “Venecia e merr vendimin në 12 tetor, por raportin mund ta sjellë në 15 tetor ose dhe më vonë. Është një material që duhet përkthyer dhe duhet ta studiojmë. Kërkon një periudhë kohe më të gjatë. Unë uroj ta mbyllim shumë më shpejt. Uroj që para festave të mëdha të nëntorit shqiptarët do ta kenë vendimin e këtij komisioni. Për shembull në festën e Çlirimit në datën 29 nëntor ne do të japim vendimin edhe çlirojmë institucionet. Ndaj themi ta shtyjmë me 2 muaj”, u shpreh Hyseni.
Por bazuar në vendimin e seancës parlamentare të marrë të enjten (sot), duket se vendimi për shkarkimin e Metës nuk do të merret me 29 nëntor, por në fillim të dhjetorit.
Megjithëse Venecia në raportin paraprak konstatoi se presidenti ka shkelur Kushtetutën përmes vendimit të tij për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit. Ky konstatim i Venecias pritet të kundërshtohet ashpër nga presidenti i cili ka njoftuar paraprakisht se të premten do të flasë për këtë çështje./realstory.al