Tabloidi britanik “Mirror” ka publikuar një artikull të detajuar për vrasjen e bujshme të shqiptarit Flamur Beqiri, (i njohur me emrin Alex) të ndodhur pak ditë më herët në Londër.
Sipas këtij artikulli, Beqiri ka qenë një prej personave më të kërkuar në Suedi, pasi mendohet se ai bashkëpunonte me një prej bandave kriminale më të kërkuara suedeze.
Flamur Beqiri, 36 vjeç u qëllua disa herë me armë nga një vrasës profesionist jashtë shtëpisë së tij prej 1.7 milion paund në Battersea, në jug-perëndim të Londrës, para gruas dhe fëmijës së tij të vogël.
Mësohet se “Scotland Yard” po heton nëse ai ishte në shënjestër për shkak të lidhjeve të tij me grupet e krimit të organizuar në qytetin e tij të lindjes, Malmo.
Sipas burimeve, ai bashkëpunonte me një bos të bandës, i cili kishte grupin rival, të njohur si “Los Suecos”, që do të thotë “suedezët”.
“Mirror” ka zbuluar se ata dyshohen se kanë porositur, grabitje, rrëmbime në qytete, restorante dhe kanë sulmuar me bombë edhe magazinat e rivalëve.
Drejtuesi i këtij grupi, Amir Mekky, 22 vjeç, aktualisht është në arrati pasi i shpëtoi një operacioni të policisë spanjolle në nëntor të vitit që lamë pas. 120 forca rendi bastisën vendin ku ai po qëndronte i fshehur.
Pesë muaj më parë Mekky u qëllua në këmbë, ndërsa tre bashkëpunëtorët e tij u vranë në Malmo.
Goditja mendohet të jetë porositur nga banda e lidhur me shqiptarin, ku bënte pjesë edhe Naief Adawi, i njohur si trafikant i lëndëve narkotike, thonë burimet suedeze.
Shefi i policisë Marcos de Miguel, nga njësia e krimit të organizuar në Kosta del Sol, e përshkroi Mekky si person shumë të rrezikshëm, pasi dha urdhër për arrestimin e tij.
“Scotland Yard” në Angli, nuk pranoi të thotë nëse ata po punojnë me policinë spanjolle si pjesë e hetimit të fundit për vrasjen.
Agjencia Kombëtare e Krimit, që është varianti britanik i FBI, mendohet se po ndihmon oficerët e njësive antikrim për t’u lidhur me agjencitë e huaja.
Ndër vrasjet spanjolle të lidhura me “Los Suecos” ishte vrasja e vitit 2018 e trafikantit të kokainës David Ávila Ramos, 37 vjeç, i njohur si “Maradona”.
Ramos u qëllua për vdekje në ceremoninë e parë të bashkimit me djalin e tij.
Ashtu si Beqiri, ai u vra para gruas së tij dhe fëmijëve të vegjël që ishin në makinë me të kur u qëllua.
Sofiani Ahmed Barrak, 34 vjeç, i njohur me pseudonimin “El Zocato”, u qëllua nëntë herë në një vrasje të dytë, që “Los Suecos” dyshohet se ka kryer.
Barrak, i cili ishte një nga personat kyç tw trafikut të hashashit maroken në Evropë, u thirr për të takuar një korrier jashtë shtëpisë së tij në zonën El Campanario të Estepona, por gjithçka ishte një kurth dhe u godit për vdekje.
Policia spanjolle ka lidhur më parë “Los Suecos” me Ridouan Taghi, që thuhet se është përgjegjës për 20 vrasje.
Taghi, kreu i bandës “Engjëjt e Vdekjes”, ishte njeriu më i kërkuar i Holandës kur u arrestua në Dubai muajin e kaluar si pjesë e një lëvizje të madhe ndërkombëtare.
Inspektori Jamie Stevenson, nga “Scotland Yard” dhe ekipi i tij po hulumtojnë nëse vrasja e Beqirit ishte një “sulm i planifikuar”.
“Ne besojmë se Flamuri mund të ketë qenë i përfshirë në ndonjë aktivitet kriminal në Suedi dhe jemi në komunikim me homologët tanë suedezë në përpjekje për të kuptuar nëse ka pasur incidente të hershme, që mund të kenë sjellë edhe atë reagim aq të ashpër ndaj Flamurit në Mbretërinë e Bashkuar”, është shprehur ai.
Shoku i tij, Naief Adawi, 33 vjeç, u vu në shënjestër të një konfliktit bandash para një dyqani në Malmo në muajin gusht.
Në vitin 2008 Beqiri u shpall një nga njerëzit më të kërkuar të Suedisë, pasi policia pretendonte se shqiptari kishte trafikuar lëndë narkotike me një vlerë prej 2 milionë paundësh.
Akuzat për drogë u rrëzuan më vonë dhe ai u shpall fajtor për trajtimin e paligjshëm të mallrave të kontrabanduar përfshirë cigare dhe alkool dhe mori një dënim me kusht.
Shumë prej kriminelëve janë zhvendosur nga Spanja për në Dubai, ku është më e lehtë për të shmangur ekstradimin dhe paratë e paligjshme mund të “pastrohen” përmes pasurive të paluajtshme.