Mish i kontaminuar me salmonelë, AKU bllokon mbi 387 tonë

AKTUALITET


Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka ndaluar hyrjen e 387.1 tonë produkte ushqimore mishi të kontaminuar me salmonelë. Produktet që vinin nga Brazili, Kanadaja dhe Qipro, në bazë të analizave laboratorike kanë rezultuar të papërshtatshme për konsumimin dhe janë kthyer mbrapsht. Konkretisht, AKU ka kthyer 234.5 tonë mish të  kontaminuar me salmonelë dhe është në proces kthimi edhe për 152.6 tonë mish të tjera.

AKU i zhvilloi këto kontrolle në portin e  Durrësit në ngarkesat e importit që ishin gati për t’u shpërndarë për konsumim njerëzor në vend.

Tre ngarkesa me sasi totale 74.946 ton “Mish Derri” me origjinë nga Kanadaja, importuar nga subjekti “FRIGO ALB shpk”, rezultuan se nuk përmbushin kërkesat ligjore të sigurisë ushqimore dhe kishin mangësi në besueshmërinë e dokumentacionit shoqërues (kryesisht të certifikatës veterinare si dokumenti kryesor i sigurisë së produktit si dhe certifikatat e analizave raportonin prezencë Ractopaminë, një produkt mjekësor veterinar i paregjistruar dhe i ndaluar për përdorim në Shqipëri dhe në BE)

Dy ngarkesa me sasi totale 52.257 ton “Mish Viçi” me origjinë nga Brazili, importuar nga subjekti “Apetit shpk”, në regjim transit në territorin e Shqipërisë me destinacion final Kosovën, rezultuan me mangësi dhe mospërputhje thelbësore në dokumentacionin shoqërues të mallit (certifikata e origjinës dhe ajo veterinare mbanin të dhëna të ndryshme nga dokumenti i transportit dhe fatura komerciale) çka e bën mallin ushqimor të importuar pa identitet të konfirmuar dhe të pasigurt për konsum.

Më herët, analizat e kryera për disa nga ngarkesat me produkte ushqimore mish të importuar rezultuan me ngarkesë mikrobiologjike (analizat laboratorike raportuan prezencën e Salmonella spp) dhe si rrjedhojë, produkti ushqimor i importuar me këto ngarkesa është i pasigurt dhe i papërshtatshëm për konsum njerëzor. Për ketë arsye dhe referuar bazës ligjore dhe rregullator në fuqi, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit vendosi kthimin e këtyre ngarkesave në vendin e origjinës, më konkretisht:

Katër ngarkesa me sasi totale 107.240 ton “Mish derri” me origjinë nga Brazili, importuar nga subjekti “ZICO sh.a.” është finalizuar praktika dhe ngarkesat janë kthyer në vendin e origjinës.

Gjashtë ngarkesa (152.631 ton në total) janë në proces përmbyllje praktike për kthimin ne vendin e origjinës ose asgjësim.



Skip to toolbar