Vranë 26-vjeçarin, vëllezërit Kusi të dënuar më parë, për vrasje dhe plagosje

AKTUALITET


Griseldo Kusi dhe Albano Kusi dy autorët e vrasjes së 26 vjeçarit Indrit Çelaj te “Myslim Shyri” janë emra të njohur për policinë për shkak të kaluarës së tyre kriminale.

Albano Kusi është përballur në gjykatë në vitin 2011 me akuzën e vrasjes me dashje të Shkëlqim Nozllit të ndodhur në tetor të vitit 2010.


Pas hetimeve rezultoi se zanafilla ishte një borxh i papaguar i viktimës  ndaj Kusit. Për këtë ngjarje u arrestuan policët I. Ademi dhe J. Nuhu për moskallëzim krimi ndërsa Albano Kusi si autor i vrasjes. Sipas vendimit të Gjykatës që la në arrest me burg Albano Kusin, motivi i ngjarjes ishte një borxh prej 650 eurosh që i kishte viktima.

Ndërsa vëllai tjetër, Griseldo Kusi në vitin 2011 është arrestuar nga policia pasi ka tentuar të vrasë Maksut Hysën. Ngjarja ndodhi në fshatin Mnik të Tiranës, ku Griseldo Kusi ka tentuar të vrasë Maksut Hysin.

Ndërsa në janar të vitit 2012, Kusi u perfshi ne nje tjeter ngjarje kriminale ku qëlloi në atentat një 26 vjeçar. Aso kohë shtetasi Boiken Spahiu u qëllua teksa parkonte makinën, katër herë me armë zjarri dhe një nga plumbat që ka depërtuar në makinë e ka goditur duke e plagosur rëndë.

Ngjarja u klasifikua “vrasje e mbetur në tentativë” ,  dhe policia vuri në pranga Griseldo Kusin. Sipas burimeve nga policia mësohet se mes të plagosurit dhe të dyshuarit për ngjarjen ka pasur një konflikt për çështje lëndësh narkotike në Angli.




Skip to toolbar