Qytetari nga Shkodra akuzon institucionin e Aluiznit duke i cilësuar matrapazë punonjësit, që kanë bërë masakër me pronat dhe nuk merren me zgjidhjen e halleve të njerëzve. Shkodrani tha në sy të kryeministrit Rama në takimin e përjavshëm për bashkëqeverisjen, se ka vuajtur shumë për të fituar të drejtën e pronës, ndërsa i kërkoi Ramës që të vërë dorë në administratën e Aluiznit në Shkodër.
“Çdo zyrtari i falet gabimi njerëzor, por jo kjo. Kam vuajtur shumë, na kanë masakruar. As kërkoj të fluturoj me avion, por jam shumë mirë nëse kam sigurinë e pronës, ilaçe të kontrolluara, spitale. Aty në Shkodër duhet të vësh dorë. “Ti po deshe qëndro këtu deri në orën 3”, kështu më thanë në Shkodër, kur u interesova për pronën, pastaj ika te Kadastra, gjeta të njëjtin shërbim. “Mos ia pafsha bojën më këtij vendi”, i kam dëgjuar vetë tek ALUIZNI, duke mallkuar. Janë matrapazë. Sikur ta kishe mundësinë të pimë një kafe dhe të të shpjegoja një për një, sa kemi vuajtur në Shkodër. aty s’ka pas drejtor ALUIZNI asnjëherë. Kam shkuar me mijëra herë, por aty po bëre kërkesë në sportel, është e kotë”, tha qytetari.
Në përgjigjen e tij kryeministri Rama theksoi se Hipoteka e Shkodrës dhe ajo e Vlorës janë dy vrimat e zeza të sistemit, duke paralajmëruar punonjësit e tyre, por edhe të institucioneve të tjera, që ta kuptojnë sa më parë se qytetarët janë të barabartë me deputetët.
“Kjo është sfida e madhe, sepse të gjitha të tjerat janë më të qarta, ndërkohë që ndërtimi i një administrate serioze nuk është fjalë goje. Nuk është e vërtetë që janë të gjithë ashtu, shumica nuk janë ashtu. Gjithë këto vajza e burra punojnë pa orar për t’iu shërbyer qytetarëve. Shërbimet janë përmirësuar ndjeshëm, por ka jashtëzakonisht shumë për të bërë. Ne kemi bërë maksimumin për të futur ata të ekselencës, por nuk është një proces i lehtë dhe nuk mbyllet shpejt. Kërkon kohë. Vendet që i shohim me admirim dhe kërkojmë t’i afrohemi, e kanë bërë shtetin para qindra vitesh. Hipoteka e Shkodrës dhe e Vlorës janë dy vrimat e zeza të sistemit. Në të kaluarën janë bërë masakra të mëdha, por edhe më pas nuk kanë pas përmirësime të ndjeshme.
Platforma është ajo që na bashkon dhe ndihmon. Ju zgjidhni problemin, ne identifikojmë njerëzit që duhen larguar. Një gjë është e sigurt, nëse të gjithë qytetarët do ta përdorin platformën, një pjesë e mallkimeve dhe stresit do të avullonte. Gjithkush nga ato zyra duhet ta kuptojë një orë e më parë se kur vjen një qytetar i moshuar, i panjohur, i papërkrahur, është me të njëjtën forcë si një deputet, sepse ti do përballesh pastaj me pasojat”, tha Rama.