Mesditën e të premtes në qytetin e Korçës ndodhi një aksident i rëndë. Një i ri 35 vjeç mbeti i vdekur në vend, pasi pompa e një vinçi që transporton beton e goditi në kokë. Punëtorit, Elvis Josifi, ishte duke punuar në një pallat 4 katësh, kur u godit për vdekje nga pompa e vinçit. Ndërkohë, nga goditja mbeti i plagosur dhe një tjetër punëtor i pallati.
Ai është dërguar në spital për të marrë kurim të specializuar. Megjithatë ende nuk dihet se si është gjendja e tij shëndetësore. Ndërkohë, dëshmitarë në vendin e ngjarjes janë shprehur se numri i viktimave mund të ishte më i madh, pasi në pallat ishin duke punuar shumë persona.
“Ngjarja mund të ishte më e rëndë. Ishin të gjithë punëtorët lart. Mund të kishte më shumë viktima. Vinçi u këput. Gjithë Korça shkoi për ndihmë. Zjarrfikësja dhe Policia erdhën në kohë, ishte e paparashikuar.”- tha dëshmitari Muharrem Hysolli, thotë Balkanweb.