Nënkryetari i Kuvendit, Myslim Murrizi ka kritikuar ashpër Presidentin Meta dhe opozitën që e cilëson si hero dhe shpëtimtar të demokracisë, duke e cilësuar kryetarin e shtetit si një hajdut, vrasës dhe që i ka bërë gjithë të zezat PD-së në 29 vite.
Sipas Murrizit, “Ilir Meta, që prej vitit 1991 i ka shijuar dhe provuar të gjitha pushtetet politike partiake dhe shtetërore si asnjë shqiptar tjetër i kujtdo force politike, ndërsa habitet me ata, që i cilëson si një tufë e vogël individësh pa pigment politik, të cilët e kanë shpallur “hero” dhe shpëtimtar të demokracisë”, duke iu rikujtuar aktivitetin e Metës, sipas tij kundër PD, që në vitin 2001 me Dushkun. “Ajo që më ngacmoi ishte shkrimi i një gazete ku Meta evidentohej si vjedhës i votave të vitit 2001, i fenomenit të Dushkut, ku në fakt “viktima” isha unë. Dushkun me 10 deputetë e organizoi kryeministri Meta, nën llogaritë e Kaç Islamit dhe nën mbikëqyrjen e policisë. Meta i dha 3 deputetë Cekës që mallkon nëpër studio si kandidati teveqel i Përmetit. Ai i dha 3 deputetë Xhuvelit që u konvertua më vonë në demokratikas derisa ia shiti partinë Dukës. Ai i dha 3 deputetë edhe të ndjerit Vasil Melo që pas një viti ndërroi jetë dhe erdhi deputet Vangjelis Dulesi. E jo pak nga këto ‘heroizma; për të cilat, këta që nuk e di se ku në të s… ishin atëherë, sot janë kupola me nder drejtuese e PD. Me vjen për të vjellë kur dëgjoj dallkaukë politikë që i thonë ‘student i dhjetorit’. Individë të rëndomtë që për 2 vjet kanë ndryshuar 3 parti e që çfarë pështyjnë në mëngjes e lëpijnë në drekë”, shprehet i revoltuar Murrizi.
Më tej, deputeti demokrat rendit një sërë ndodhish në vite, duke i lidhur me arsyet se përse demokratët nuk duhet ta shohin si hero, por si njeriu që ka bërë gjithçka kundër tyre. “Meta ka qenë kryeministër kur më datë 28 nëntor 2000 u vra Syl Lusha në Tropojë; në datë 2 dhjetor 2000 kur u ndalua Sali Berisha në Drejtorinë e Policisë Tiranë; ka organizuar i pari grevën në gusht 1992 të Poliçanit që morën peng forcat speciale; ka qenë deputeti i pare që i është hequr imuniteti për këtë ngjarje; ka qenë opozitar i qeverisë Berisha dhe ka bërë grevë urie brenda parlamentit në prill 2008 e i vërviste vazo lulesh kokës të gjithë qeverisë së PD. Meta mori 30% të administratës në qeverinë Berisha në vitet 2009-2013; me bllokun e famshëm në dorë si ministër i jashtëm shkoi në zyrën e Priftit në dhjetor 2010 e për rrjedhojë ndodhi 21 janari i viti 2011”, rendit Murrizi disa nga faktet historike që sipas tij kanë qenë anti PD, duke ngritur pyetjen “Ky është heroi i demokratëve?”
Ai nuk ka lënë pa kritikuar edhe aksionin opozitar, që sipas tij ka qenë një tallje për militantët që i sjellin vërdallë dhe një dështim i kupolës së PD. “Dhe ajo qe ndjej keqardhje është mashtrimi që i bëhet asaj pjese të militantëve të PD që aspirojnë kthimin e kësaj force politike në pushtet për të marrë një vend pune ose polic ose kryeplak, që prej 6 muajsh i sorollatin nëpër bulevardin e Tiranës, duke i mashtruar se do ta përmbysim më 16 shkurt e më 16 mars. Pastaj u thonë me 16 prill e më 17 maj, pastaj me 8 qershor e më 21 qershor, pastaj thonë që fundi është më 30 qershor. Pastaj i tallin përsëri duke i sjellë më datë 8 korrik për protestë, por i flasin për fitore”, shprehet Murrizi, ndërsa shton “eh sa të zeza u ka bërë demokratëve prej 29 vitesh Ilir Meta (Fizi)”. Në fund, ai i jep edhe një mesazh Metës, duke iu drejtuar se “rri rehat i ‘madhi’ i Meta-Fizëve, unë nuk gjuaj mullarë bari apo byku, por as ‘mullarë prej mishi’ që vijnë vërdallë nëpër bulevarde për të marrë hak ndaj teje”.