Një gjykatë federale e apelit në SHBA ka refuzuar të premten sfidën e aktivistëve për të drejtat e emigrantëve ndaj vendimit të administratës së Donald Trump për të revokuar statusin ligjor të përkohshëm të qindra mijëra emigrantëve nga Kuba, Haiti, Nikaragua dhe Venezuela që jetojnë në Shtetet e Bashkuara.
Gjykata e Apelit e Rrethit të Parë, me bazë në Boston, rrëzoi një vendim të gjykatëses së rrethit federal Indira Talwani, e cila kishte vendosur se sekretarja e Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem, nuk kishte kompetencë për të ndalur programin e lejeve të përkohshme për rreth 430 mijë emigrantë, të miratuar më parë nën ish-presidentin demokrat Joe Biden. Vendimi i Talwani ishte pezulluar nga Gjykata Supreme në maj, duke lejuar që përfundimi i lejeve të hyjë në fuqi ndërkohë që procesi ligjor vazhdonte.
Gjykatësi Gustavo Gelpí, në emër të një paneli prej tre gjykatësish të emëruar nga presidentë demokratë, theksoi se veprimi i Noem i detyronte emigrantët të zgjidhnin papritur mes kthimit në rreziqet në vendet e tyre ose qëndrimit në SHBA me rrezikun e arrestimit dhe deportimit. Megjithatë, Gelpí tha se avokatët që përfaqësonin grupin e emigrantëve nuk kishin arritur të provonin se Noem nuk kishte autoritet nën Ligjin për Emigracionin dhe Shtetësinë për të ndërprerë kategorikisht programin e tyre
