Sulmet ndaj KZAZ, Lleshaj: Arrestimet jo për bindje politike, por për shkelje ligji

AKTUALITET


Nga Hani i Hotit ku u inaugurua godina e re e pikës kufitare, ministri i brendshëm, Sandër Lleshaj u është përgjigjur akuzave të opozitës për arrestime politike. Duke iu referuar sulmeve ndaj KZAZ-ve Lleshaj theksoi se arrestimet e këtyre personave nuk janë bërë për shkak se ata janë simpatizantë të PD-së, por se kanë shkelur ligjin duke sulmuar qendrat e administrimit të zgjedhjeve.

“Policia e Shtetit nuk arreston simpatizantë të Partive politike po qytetarë që shkelin ligjin”, tha Lleshaj.


Ministri gjithashtu iu përgjigj akuzave të opozitës, sipas të cilës ardhja e EUROPOL në Tiranë është tregues se në Shqipëri krimi ka arritur në nivele alarmante. Përkundrazi, – tha Lleshaj, ardhja e zyrës së Europol në Tiranë është shenjë besimi.

“Kam ndjekur këto ditë me një farë keqardhje, që e përkthejnë ardhjen e EUROPOL me shenjë dyshimi. E pavërtetë,  ardhja e tyre është shenjë besimi”, tha Lleshaj.

Teksa inauguronte godinën e re doganore në Hanin e Hotit ministri mori shembullin e doganës së Kosovës në të cilën kontrolli kufitar është i përbashkët.  Lleshaj tha se do të punohet për të bërë që koha e pritjes së qytetarëve të jetë “0”.

“Në Morinë kemi aplikuar kontrollin e përbashkët, ka bërë që koha e pritjes të ulet me 50%, synojmë që të ulet edhe më shumë, por duam ta bëjmë 0% kohën e pritjes në të gjitha doganat. Duhet të rrisim profesionalizmin e punonjësve në portat e Shqipërisë”, tha Lleshaj.

Godina e re në pikën kufitare të Hanit të Hotit është një investim që ka kushtuar 45 milion lekë nga buxheti i shtetit që plotësoi investimin e bërë nga BE, nëpërmjet programit IPA 2012.




Skip to toolbar