Myslimanë e ortodoksë në Katedralen Katolike/ Shqiptarët pa dallim feje, homazhe për Papën

AKTUALITET


Në vendin e parë që vizitoi si Papë, nuk po e nderojnë vetëm katolikët.

Në Shqipërinë e vëllazërisë fetare, sikurse e cilësoi në vizitën e tij në 2014, Atit të Shenjtë po i kryejnë homazhe në Tiranë qytetarë të besimeve të ndryshme.

Tanush Kaso është mysliman. Këtë të martë vizitoi katedralen Shën Pali dhe nderoi Papa Françeskun. Nuk ndezi qirinj, sepse nuk është ritual i besimit të tij, por ishte në kishë për të respektuar figurën e Atit të Shenjtë.

“Midis gjithë klerikëve shquhej si më human. Une kam përcjelle shume. Ky bente dallim. Ka berë gjithnjë thirrje për paqe.”

Tanush Kaso doli edhe në bulevard për të parë nga afër papa franceskun në vizitën e tij historike në Tiranë.

“Pata fatin të jem ne bulevard. Ka qene madhështore e paharrueshme, duhet te kujtohet. Qendrova sa me afer që munda. Në familjet jane të treja besimet fetare, fëmijet kanë gjetur shokun e jetës të një besimi tjetër.”

Homazhe pranë fotografisë së Papa Françeskut të katedralen Shën Pali kreu edhe Petrika Trako, i besimit ortodoks.

“Kjo vërtet është një largim nga jeta i një figure që perbashkonte të gjithe besimet fetare në botë.”

Për të Ati i Shenjtë i la botës një trashëgimi të madhe dhe me vizitën e tij të parë në Shqipëri i tregoi botës pasurinë tonë kombëtare, harmoninë mes feve.

“Duhet të përulemi përpara kesaj pune të madhe shpirterore. Krijimtaria e tij eshte e gjitha mbi paqen ne bote e drejtuar prej Jezu Krishtit.”

Marta Tusha është një besimtare e devotshme. Vjen nga një familje me traditë të vjetër katolike nga Mirditë. Largimi nga kjo botë i Papa Françeskut e ka trishtuar. Në katedrale ndezi qirinj dhe u lut disa minuta për shpirtin e tij.

“Ishte mrekulli që doli për meshën e të dieles së Pashkës dhe pastaj iku te zoti lart.”

Ende ka emocion kur Atin e Shenjtë e pati shumë pranë në bulevardin e Tiranës në vitin 2024.

“Atë ditë isha në punë, pastaj dola në bulevard, rrugës që po kalonte ishte një emocion i papamë, të paktën në momentin që kaloi me makinë e pashe ishte emocion.”

Marta ka planifikuar të vizitojë këtë vit Vatikanin në vitin jubilar.

“Eshtë një pjesë bosh, shpresoj që papa tjetër të jetë më i miri, me i duhuri. Për ne shqiptarët ka folur për bashkimin fetar qe e kemi te vecantë.”



Skip to toolbar