Rama në familjen e prekur nga tërmeti në Kamëz

AKTUALITET


Kryeministri Edi Rama vizitoi pasditen e të premtes një tjetër familje që mbeti e pastrehë nga tërmeti, ndërsa tashmë përfitoi bonusin e qirasë. Rama ishte në familjen e Esat Lleshit në Kamëz. Tetë anëtarët e kësaj familje mbetën pa shtëpi pasi ajo u dëmtua nga tërmeti i 26 nëntorit.

Rama, shprehet se “në familjen prej tetë antarësh të Esat Lleshi, e cila u godit nga tërmeti e humbi strehën dhe sot, njësoj si mijëra familje të tjera të prekura është sistemuar në një shtëpi me qera. Deri në ndërtimin e shtëpisë së re apo meremetimin e shtëpisë së dëmtuar, familja e Esatit dhe të gjitha familjet që kanë humbur shtëpinë në qytetet e prekura, plot 4127 të regjistruara aktualisht, do qëndrojnë me qera të paguara nga shteti”, shkruan Rama.

Ndërkohë, gjatë bisedës me kryefamiljarin e kësaj familje, Rama shprehet se tërmeti ishte një sprovë e madhe. Megjithatë, kryeministri mbetet optimist se do e kalojmë këtë moment të vështirë. “Janë pjesë e punës edhe të sharat, edhe shpifja, rrenat, duhet me i duru s`ke çfarë bën. Na ka sprovu shumë. Na ka sprovu shumë. Por unë besoj se do t`ia dalim”, tha Rama.

Ndërsa i dhuroi dy fëmijëve të kësaj familje dhurata për festat, Rama nuk kurseu batatut me djalin e familjes Lleshi. Fëmija kishte pasion pikturën, pasion të cilin e ka dhe kryeministri. Rama i dhuroi djalit të vogël një set me bojëra për të pikturuar, ndërsa i këshilloi atij të mos heq dorë nga piktura.  “Mos e ndaj pikturën. Do bëhesh bojaxhi si puna ime. E ke një zanat në xhep, sido që të vijë puna gjithmon ka nevojë për bojaxhi. Se gjithmonë duhet bojaxhiu”, tha Rama.

Ndërkohë, kreu i Bashkisë së Kamzës njoftoi kryeministrin se në këtë qytet nuk ka asnjë banorë që jeton në çadër. Ata janë sistemuar të gjithë në banesa ndërsa trajtohen me bonusin e qirasë.



Skip to toolbar