“Na preu në besë”, presidenti i Bylis reagon për Dorjan Kërçikun

AKTUALITET


Një ngjarje e pazakontë ndodhi të martën në futbollin shqiptar. Mbrojtësi Dorjan Kërçiku, që u largua nga Tirana firmosi me Partizanin. Në fakt, deri këtu nuk ka asgjë të pazakontë. Por, vetëm disa ditë para se të firmoste me Partizanin, 26-vjeçari ishte prezantuar te skuadra e Bylis. Ndërsa të martën ai u prezantua te rivalët e ekipit që aktualisht mban vendin e dytë në kampionat. Ky veprim i Kërçikut nuk është pritur mirë nga drejtuesit e klubit ballshiot. Presidenti Besnik Kapllanaj e quan “prerie në besë” kët veprim të Kërçikut.

“Unë kam edhe një mesazh të lojtarit dhe më kërkon njëqind herë falje, ram dakord, madje në media e ka pohuar dy ditë më parë se në Ballsh i kanë ofruar kushte super. Nuk e kuptoj, kjo është prerje në besë dhe ta quash veten futbollist profesionit, kjo s’ka ku të rrijë. Kam kaq vite që merrem me sport dhe kjo që ka bërë Kërçiku tregon thjesht që ai nuk është profesionist”, tha Kapllanaj për mediat.


Më tej, presidenti i ballshiotëve ka vijuar: “Kam folur me drejtuesit e Partizanit, me vetë presidentin Gaz Demi, të cilin e kam mik, dhe me ka thënë që do ta zgjidhim këtë çështje, pasi kishim rrënë dakord me çdo detaj, e madje doli në stërvitje. Por, Kërçiku nuk ka bërë gjë tjetër veçse i ka rënë të mirës me shkelm, sepse te Bylisi e ka derën mbyllur. Ne jemi një klub serioz, me detaje deri në stërvitje dhe kurrë nuk do të ketë vend për lojtarë që ikin fshehurazi. Kërçiku apo çdo lojtar tjetër, me atë që ne ofrojmë, ta kenë nder që veshin fanellën e Bylisit”, tha Kapllanaj.




Skip to toolbar