Incidenti në bazën ushtarake të Letonisë, i mori jetën një tjetër ushtaraku shqiptar, major Klodian Tanushit. Ai mbeti i plagosur pas shpërthimit të minës, por pasi luftoi për gati 1 javë në spital, mbrëmë ndërroi jetë. Grupi i NATO-s në Letoni i ka shprehur ngushëllimet familjarëve të majorit duke thënë se “humbëm një vëlla nën armë”.
“Është dhimbje e madhe që sot ka ndërruar jetë Major Klodjan Tanushi. Ne i shprehim ngushëllimet tona më të thella bashkëshortes, fëmijëve dhe të afërmve të tij. Pasi luftoi për jetën e tij, Major Klodjan Tanushi vdiq nga lëndimet e pësuara gjatë një detyre të EOD, në vijën e detyrës më 6 maj 2019, që mori gjithashtu jetën e Nëntetares Zarife Hasanaj. Kemi humbur një nga tanët, një vëlla nën armë. Në këto kohë dhimbjeje, mendimet tona shkojnë tek të dashurit, miqtë dhe kolegët e tij. Jeta e tij do të kujtohet”, shkruhet në njoftimin e NATO-s.