Kryeministri Rama ka publikuar mesazhin e regjisorit Spiro Duni i cili thotë se ndërtimi i teatrit të ri është emergjencë kombëtare. Duni në rolin e aktorit dhe regjisorit është ngjitur disa herë në skenën e Teatrit kombëtar dhe e di shumë mirë se çfarë ofron ajo godinë, ndaj dhe ai si shumica e aktorëve të tjerë të kësaj skene kërkon ndërtimin sa më parë të një teatri të ri.
“Spiro Duni, aktor dhe regjizor që është ngjitur vetë dhe ka ngjitur trupa aktorësh në skenën e Teatrit Kombëtar, duke krijuar vlera e promovuar talente, kërkon si shumica dërrmuese e komunitetit teatror, që karakatina e qerestesë, tanimë e kthyer në kështjellën prej tallashi të politikanëve aktorë e të aktorëve politikanë, të shembet një orë e më parë për t’ia lënë vendin godinës së re të Teatrit Kombëtar”, shkruan Rama.
Ndërsa Duni shkruan se projekti i teatrit të ri nuk cenon asnjë cm2 nga trualli i godinës aktuale të teatrit.
“Ndërtimi i Teatrit të ri është emergjencë kombëtare në këtë atdhe zhurmëmadh! Asnjë cm2 nuk cenohet nga ky truall dhe besoj që të zotët ndër vite do të kenë stendat e tyre të mirënjohjes në hollet e tempullit të ri!”, shkruan regjisori Spiro Duni.