PD sulmon KED: Kualifikimi i Metanit, antikushtetues

AKTUALITET


Partia Demokratike ka dalë kundër vendimit të KED-së për të lejuar Artur Metanin për të vazhduar garën për postin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

Në një deklaratë për shtyp të shtunën Sekretari Ligjor i PD-së, Çlirim Gjata tha se kualifikimi i Artur Metanit nga KED është një vendim antikushtetues pasi ai ka mbajtur postin e këshilltarit të presidentit për 10 vite duke qenë kështu një person politik, gjë e cila nuk lejohet nga ligji.


Gjata gjithashtu tha se Metani është vëllai i ish ministres Englantina Gjermeni dhe është emëruar nga Rama në postin e Avokatit të Shtetit. Pra sipas tij ai është njeri i Ramës dhe kjo tregon se si po kapet drejtësia nga kryeministri.

“Kandidatura e Avokatit të Shtetit Artur Metani për postin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, është në kundërshtim me Kushtetutën dhe Ligjin, dhe duhet të s’kualifikohet. Kandidati për Inspektor të Lartë të Drejtësisë nuk duhet të ketë mbajtur funksione politike në administratën publike, ose pozicione drejtuese në parti politike gjatë 10 vjetëve të fundit përpara kandidimit. Artur Metani është në kushtet e ndalimit kushtetues dhe ligjor. Ai ka mbajtur funksionin e Këshilltarit Juridik të Presidentit të Republikës, në periudhën Maj 2002-Korrik 2012.

Por KED, siç e dimë tashmë, drejtohet nga dyshja besnike e Edi Ramës Dvorani – Arta Marku. Ata janë të gatshëm të bëjnë gjithçka për të plotësuar urdhrat e shefit të tyre Kryeministër, misioni i të cilit është të kapë çdo qelizë të organeve të reja të drejtësisë”, është shprehur Gjata.

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi  është një institucion i dalë nga Reforma në Drejtësi e cila mbështetet nga ndërkombëtarët, monitorohet prej tyre dhe deri tani është cilësuar e suksesshme si nga BE ashtu edhe nga SHBA. Pro të vetmit që kanë ankesa janë PD dhe presidenti.




Skip to toolbar