Negociatat, nëntë kushtet e Berlinit

AKTUALITET


Media gjermane, Deutsche Welle, ka publikuar pasditen e të mërkurës një lajm, ku thotë se Bundestagu pritet të vendosë ndaj Shqipërisë nëntë kushte për hapjen e negociatave. Sipas DW, referuar burimeve në parlamentin gjerman, mësohet se në datën 26 shtator ku do të votohet në Bundestag për hapjen ose jo të negociatave me Shqipërinë, do të paraqitet një dokument që do të hidhet në votim me kërkesë të dy grupeve parlamentare të mazhorancës qeveritare, Unionit Kristdemokrat dhe Unioni Kristsocial (CDU/CSU) si dhe Partia Socialdemokrate. Në këtë dokument parashikohet hapja pa kushte e negociatave me Maqedoninë e Veriut, ndërsa me Shqipërinë pasi të plotësohen disa kushte.

Ato janë: – funksionimi i Gjyktës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese; – miratimi i reformës zgjedhore; – implementimi i reformës zgjedhore; – ndjekja penale e gjykatësve dhe e prokurorëve që nuk e kanë kaluar provimin e Vettingut; – ndjekja penale e akuzave për shitblerjen e votave; – vënia në punë e prokurorisë speciale për luftimin e korrupsionit, SPAK;  – rezultate në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfshirë edhe kapja dhe ndjekja penale e personave kyç të krimit, të të ashtuquajturve “peshq të mëdhenj”; – përparime në reformën e administratës publike; – sqarimi përfundimtar me vendim të Gjykatës Kushtetuese i ligjshmërisë së zgjedhjeve lokale të 30 qershorit 2019”.

Këto kushte do të hidhen në votë nga deputetët e grupit parlamentar në 24 shtator. Në 25 shtator ato pritet të trajtohen në Komisionet përkatëse në Bundestag, dhe më 26 shtator, në mbrëmje vonë, është parashikuar një seancë plenare 45 minutëshe, në fund të së cilës do të merret vendimi me votë.



Skip to toolbar