‘Vazhdimi i ushtrimit të funksionit shtetëror apo të shërbimit publik nga ana e personit që është vënë në dijeni të vendimit apo rrethanës që u ka dhënë fund ushtrimit të tyre, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit”, ky është përcaktimi i nenit 249 të Kodit Penal, për “Kryerjen e funksionit pas dhënies fund të tij”. Dhe pavarësisht retorikës politike, duket se ky nen ka ‘trembur’ kryetarët e PD dhe LSI, të cilët liruan zyrat, pavarësisht rezistencës, që më shumë se rezistencë për të mbajtur zyrën, ishte një justifikim ndaj militantëve të tyre, që u premtuan se “nuk i lirojmë zyrat”.
Partia Demokratike deklaroi para se të nisnin konstituimet e këshillave bashkiake dhe të bëhej betimi i kryetarëve të rinj të bashkive, se “nuk do të lironte zyrat e bashkive” që për katër vite u drejtuan nga të zgjedhur të djathtë. Mirëpo ky premtim, ashtu si dhe shumë premtime të tjera të Lulzim Bashës u shembën si “kala rëre”, pasi askush nga drejtuesit e bashkive të djathta, nuk guxoi të zbatonte urdhrin e PD, apo premtimin që vetë të zgjedhurit demokratë bën për të mos liruar zyrat.
Çfarë ndodhi?
E para bashki që u dorëzua, ishte Devolli. Bashkia në juglindje të vendit u drejtua për katër vite nga i zgjedhuri demokrat, Bledjon Nallbati. Në zgjedhjet e 30 qershorit kryetar i ri i saj u zgjodh Eduard Duro. Në 26 korrik, në zyrat e nënprefekturës së Devollit u bë konstituimi i këshillit të ri bashkiak dhe betimin i kryetarit të ri. PD protestoi para bashkisë duke mos lejuar futjen e kryetarit të ri në zyrë. Protesta zgjati deri në orën 16:00 pasdite, pasi pas këtij orari dera e bashkisë u hap, Eduard Duro u fut në zyrë dhe vijon punën prej tre javësh. Devolli ishte prova e parë e forcës për PD-në, e cila premtoi vazhdimisht se “nuk do të lirohen zyrat e bashkive të djathta”, pasi Selia Blu dhe opozita “nuk i njeh zgjedhjet e 30 qershorit”.
Pas Devollit, u “shembën” me radhë “kështjellat” e tjera të demokratëve dhe atyre të LSI. Kështu ndodhi në Kavajë, Mallakastër, Selenicë, Vau Dejës, Mat, Delvinë, Prrenjas, në Bulqizë, madje në këtë bashki kryetari i ri nga rëadhët e PS e mori detyrën nga paraardhësi i tij i LSI. Rezistenca në këto bashki ishte e papërfillshme, ku veç Kavajës, ku pati një protestë nga PD, në bashkitë e tjera gjithçka ndodhi krejt natyrshën, aq sa dukej sikur kryebashkiakët në largim nuk iu bindën dëshirës së tyre dhe të kryetarëve të partive të tyre. Kamza ishte bashkia tjetër ku PD tentoi të bënte rezistencë, por skenari i saj zgjati vetëm një turn, pasi pas orës 16:00, ditën kur u bë konstituimi i Këshillit Bashkiak, Xhelal Mziu iku, dhe karrigen e tij luksoze e zëvendësoi me një të thjeshtë Rakip Suli, që tashmë është shprehur se do të dërgojë në prokurori për ndjekje penale paraardhësin e tij për shkelje të shumta ligjore.
Tashmë ka mbetur vetëm Bashkia e Shkodrës, ku PD paraprakisht ka ‘korrur’ një fitore të vogël, pasi Valdrin Pjetri i zgjedhur më 30 qershor, dha dorëheqjen pa e marrë mandatin e kryetarit, pasi ndaj tij ka nisur një hetim nga Prokuroria për shkelje të ligjit të dekriminalizmit. Megjithatë, PS është e vendosur që, pavarësisht se nuk do të ketë kryetar, të zhvillojë mbledhjen e parë për konstituimin e këshillit të ri bashkiak, dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit. PD është shprehur se pas dorëheqjes së Valdrin Pjetrit, Voltana Ademi duhet të vijojë të mbajë detyrën si kryetare e bashkisë, duke e bazuar argumentin në një nen të ligjit për Pushtetin Vendor, ku saktësohet se “kryetari i bashkisë rri në detyrë deri në betimin e kryetarit të ri”. Gjithësesi, si skenari i PD ashtu dhe i PS për bashkinë e Shkodrës, është një tjetër subjekt i trajtimit dhe interpretimit ligjor, që e fut krizën politike në labirinte të reja. /REALSTORY.AL/