Dhuna, dënime penale e disiplinore. Çfarë rrezikon Tirana dhe tifozët

Tirana rrezikon dënim të rëndë, pas dhunës në derbi dhe gropave të mbushura me lëndë plasëse. Ekipi bardheblu pritet të jetë subjekt i Komisionit të Disiplinës sportive, që pritet të mblidhet në mesin e javës. Po çfarë parashikon Kodi i Disiplinës Sportive në rastet kur në një ndeshje futbolli ka dhunë, invadohet fusha nga tifozët, hidhen lëndë piroteknike apo sende të forta në fushë, ka sjellje të gabuar të tifozëve apo përdoren kore denigruese dhe raciste?

Sipas Nenit 56 të Kodit të Disiplinës, ku sanksionohet ndëshkimi për Diskriminimin, individi apo individët që përdorin fjalë denigruese në lidhje me racën, ngjyrën, gjuhën, besimin fetar ose orgjinën, pezullohet me 5 ndeshje, dhe dënohet me gjobë 100.000 lekë. Ndërkohë, klubi i Tiranës do të jetë subjekt i Nenit 64 të Kodit të Disiplinës, i cili sanksionon ndëshkimet për dështimin e përmbushjeve të përgjegjësive. Në këtë nen thuhet: “Në rastet e shkeljeve të rënda mund të ndërmerren dënime të tjera, si zhvillimi i ndeshjes pa spektatorë, zhvillimi i ndeshjes në fushë asnjanëse, ndalimi i zhvillimit të ndeshjes në stadiumin përkatës, anulimi i rezultatit të ndeshjes, përjashtimi nga një garë ose kampionat, dhe/ose humbje e ndeshjes në tavolinë”.

Ndërkohë, në Nenin 65, “Përgjegjësia për sjelljen e spektatorëve”, thuhet: “Personat juridikë, shoqatat dhe/ ose klubet mikpritëse të ndeshjeve janë përgjegjëse për sjelljen e gabuar të spektatorëve, pavarësisht se faji mund të kryhet me vetëdije apo pa vetëdije dhe si rrjedhim dënohen me gjobë në çdo rast. Mund të vendosen edhe dënime të tjera në rastin e verifikimit të ngjarjeve të rënda”.

“Personat juridikë, shoqatat dhe/ose klubet mike janë përgjegjëse për sjelljen e gabuar të grupit të tyre të spektatorëve, pavarësisht se faji mund të kryhet me vetëdije apo pa vetëdije dhe si rrjedhim dënohen me gjobë në çdo rast. Mund të vendosen edhe dënime të tjera në rastin e verifikimit të ngjarjeve të rënda. Nëse nuk provohet e kundërta, tifozët të cilët qëndrojnë në sektorin e miqve në stadium konsiderohen si tifozë ose mbështetës të ekipit mik (personat juridikë, shoqatat dhe/ose klubet mike)”, thuhet ndër të tjera, ndërsa kuptohet, që veç Tiranës subjekt i Kodit të Disiplinës do të jetë dhe Partizani.

Megjithatë, nëse Tirana mund të shpëtojë me gjobë apo disa ndeshje pa tifozë, personat përgjegjës për aktet e dhunës në stadium do të jenë subjekt i Kodit Penal. Konkretisht, këta persona do të jenë subjekt i neneve të shtuara në Kodin Penal që parashikon masa të ashpra për dhunën në stadium. Realstory.al, publikon ndëshkimet që mund të marrin personat e përfshirë në dhunë, apo që hodhën lëndë piroteknike në ndeshjen derbi Tirana-Partizani.

Në datën 24 shtator u botuan në Fletoren Zyrtare ndryshimet në Kodin Penal, që ashpërsojnë masat për të gjithë personat që shkaktojnë akte dhune në stadime apo gara sportive. Sipas Nenit 274/a, “Goditja ose vepra të tjera dhune ndaj sportistit, trajnerit, arbitrit, ndërmjetësit sportiv, për shkak të veprimtarisë sportive, dënohet me burgim nga një deri në tre vjet.  Po kjo vepër, kur kryhet në mjediset sportive më shumë se një herë, apo është kryer nga drejtues apo anëtarë të klubeve sportive, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet”, thuhet në nenin e ri të Kodit Penal, që do të përdoret për akte të shëmtuara në tribunat e stadiumeve.

Në ndryshimet e Kodit Penal, është shtuar dhe Neni 274/b, i cili parashikon masa ndëshkuese të ashpra edhe për tifozët që hedhin mjete piroteknike, fishekzjarre, flakadanë  gjatë zhvillimit të një ndeshje. Tifozët, që kryejnë aktet e sipërpërmendura, do të dënohen deri në 3 vjet me burg.

“Hedhja e sendeve të forta në fushën e lojës ose mbi masën e njerëzve, mbajtja apo përdorimi i lëndëve piroteknike, fishekzjarrëve, flakadanëve, gjatë zhvillimit të një aktiviteti sportiv, dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet. Hyrja në fushën e lojës, gjatë kohës së zhvillimit të aktivitetit sportiv, nga persona të paautorizuar ose pengimi i zhvillimit normal të aktivitetit sportiv, dënohet me burgim nga një deri në tre vjet. Po  kjo vepër penale, kur kryhet në aktivitetet sportive ndërkombëtare, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet”, thuhet në nenin e shtuar në Kodin Penal./Realstory.al/

Ndryshimet në Kodin Penal, Kuvendi rrëzon dy herë Metën

Kuvendi ka votuar kundër dekretit të Ilir Metës, që ktheu për rishqyrtim ndryshimet në Kodin Penal. Pas rrëzimit në Komisionin e Ligjeve, 85 deputetë kanë votuar kundër dekretit të Metës në Kuvend, duke bërë  që ndryshimet në Kodin Penal të futen në fuqi pa pasur nevojën e një dekreti të dytë  nga Ilir Meta. Po çfarë ndryshimesh ka pasur Kodi Penal? Disa nga pikat themelore të shtuara apo ndryshuar në Kodin Penal, kanë të bëjnë me sigurinë ushqimore, duke ashpërsuar masat penale ndaj abuzuesve me sigurinë në ushqime.

Gjithashtu, një tjetër ndryshim është ashpërsimi i dënimit për këdo që ushtron dhunë ndaj zyrtarëve të ndeshjes, lojtarëve apo personave të tjerë në stadium. Ky ndryshim në Kodin Penal erdhi si një kërkesë e bërë nga Federata Shqiptare e Futbollit drejtuar Kuvendit, pas akteve të dhunës që ndodhën në një ndeshje futbolli në Kamëz, ku mbeti i dhunuar nga tifozët një nga arbitrat e ndeshjes. Gjithashtu, në Kodin Penal, janë parashikuar edhe disa ndryshime të tjera, që lidhen me rritjen e sigurisë së mjekëve dhe punonjësve të policisë gjatë ushtrimit të detyrës.

Në këtë ligj parashikohen dhe masa më të ashpra edhe për “ndërhyrjet e padrejta në jetën private të tjetrit”. Në fakt, kjo ishte nga pikat kryesore, që Meta e ktheu për rishqyrtim ligjin. Sipas tij, kjo pikë krijonte  mbivendosje me nenet e tjera të Kodit Penal. Pas diskutimeve në Kuvend për dekretin e Metës, që kthente ndryshimet e Kodit Penal për rishqyrtim, u votua kundër dekretit nga  85 deputetë, ndërsa pro votuan 11. Ndërkohë, gjatë seancës të së enjtes, Kuvendi ka rrëzuar dhe dekretin e Metës, për rikthimin për rishqyrtim të ligjit “Për Akademinë e Shkencave”.

Në argumentin që i bënte Meta kthimit të këtij ligji, shprehej se “bie ndesh me parashikime e Kushtetutës së Shqipërisë, cënon autonominë e institucioneve të arsimit të lartë, cënon kompetencat e Presidentit të Republikës”. Megjithatë, Kuvendi nuk e ka parë të arsyeshme për të rishqyrtuar këtë ligj, duke votuar kundër dekretit të Ilir Metës me 75 vota kundër dhe 20 vota pro Metës.  

Nëse s`lironin zyrat, përfundonin në burg, ja pse ikën në heshtje kryebashkiakët e opozitës

‘Vazhdimi i ushtrimit të funksionit shtetëror apo të shërbimit publik nga ana e personit që është vënë në dijeni të vendimit apo rrethanës që u ka dhënë fund ushtrimit të tyre, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit”, ky është përcaktimi i nenit 249 të Kodit Penal, për “Kryerjen e funksionit pas dhënies fund të tij”. Dhe pavarësisht retorikës politike, duket se ky nen ka ‘trembur’ kryetarët e PD dhe LSI, të cilët liruan zyrat, pavarësisht rezistencës, që më shumë se rezistencë për të mbajtur zyrën, ishte një justifikim ndaj militantëve të tyre, që u premtuan se “nuk i lirojmë zyrat”.

Partia Demokratike deklaroi para se të nisnin konstituimet e këshillave bashkiake dhe të bëhej betimi i kryetarëve të rinj të bashkive, se “nuk do të lironte zyrat e bashkive” që për katër vite u drejtuan nga të zgjedhur të djathtë. Mirëpo ky premtim, ashtu si dhe shumë premtime të tjera të Lulzim Bashës u shembën si “kala rëre”, pasi askush nga drejtuesit e bashkive të djathta, nuk guxoi të zbatonte urdhrin e PD, apo premtimin që vetë të zgjedhurit demokratë bën për të mos liruar zyrat.

Çfarë ndodhi?

E para bashki që u dorëzua, ishte Devolli. Bashkia në juglindje të vendit u drejtua për katër vite nga i zgjedhuri demokrat, Bledjon Nallbati. Në zgjedhjet e 30 qershorit kryetar i ri i saj u zgjodh Eduard Duro. Në 26 korrik, në zyrat e nënprefekturës së Devollit u bë konstituimi i këshillit të ri bashkiak dhe betimin i kryetarit të ri. PD protestoi para bashkisë duke mos lejuar futjen e kryetarit të ri në zyrë. Protesta zgjati deri në orën 16:00 pasdite, pasi pas këtij orari dera e bashkisë u hap, Eduard Duro u fut në zyrë dhe vijon punën prej tre javësh. Devolli ishte prova e parë e forcës për PD-në, e cila premtoi vazhdimisht se “nuk do të lirohen zyrat e bashkive të djathta”, pasi Selia Blu dhe opozita “nuk i njeh zgjedhjet e 30 qershorit”.

Pas Devollit, u “shembën” me radhë “kështjellat” e tjera të demokratëve dhe atyre të LSI. Kështu ndodhi në Kavajë, Mallakastër, Selenicë, Vau Dejës, Mat, Delvinë, Prrenjas, në Bulqizë, madje në këtë bashki kryetari i ri nga rëadhët e PS e mori detyrën nga paraardhësi i tij i LSI. Rezistenca në këto bashki ishte e papërfillshme, ku veç Kavajës, ku pati një protestë nga PD, në bashkitë e tjera gjithçka ndodhi krejt natyrshën, aq sa dukej sikur kryebashkiakët në largim nuk iu bindën dëshirës së tyre dhe të kryetarëve të partive të tyre. Kamza ishte bashkia tjetër ku PD tentoi të bënte rezistencë, por skenari i saj zgjati vetëm një turn, pasi pas orës 16:00, ditën kur u bë konstituimi i Këshillit Bashkiak, Xhelal Mziu iku, dhe karrigen e tij luksoze e zëvendësoi me një të thjeshtë Rakip Suli, që tashmë është shprehur se do të dërgojë në prokurori për ndjekje penale paraardhësin e tij për shkelje të shumta ligjore.

Tashmë ka mbetur vetëm Bashkia e Shkodrës, ku PD paraprakisht ka ‘korrur’ një fitore të vogël, pasi Valdrin Pjetri i zgjedhur më 30 qershor, dha dorëheqjen pa e marrë mandatin e kryetarit, pasi ndaj tij ka nisur një hetim nga Prokuroria për shkelje të ligjit të dekriminalizmit. Megjithatë, PS është e vendosur që, pavarësisht se nuk do të ketë kryetar, të zhvillojë mbledhjen e parë për konstituimin e këshillit të ri bashkiak, dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit. PD është shprehur se pas dorëheqjes së Valdrin Pjetrit, Voltana Ademi duhet të vijojë të mbajë detyrën si kryetare e bashkisë, duke e bazuar argumentin në një nen të ligjit për Pushtetin Vendor, ku saktësohet se “kryetari i bashkisë rri në detyrë deri në betimin e kryetarit të ri”. Gjithësesi, si skenari i PD ashtu dhe i PS për bashkinë e Shkodrës, është një tjetër subjekt i trajtimit dhe interpretimit ligjor, që e fut krizën politike në labirinte të reja. /REALSTORY.AL/

Meta, “luftë” me qeverinë, i kthen mbrapsht edhe ndryshimet në Kodin Penal

Presidenti Meta vijon luftën e tij me mazhorancën përmes kthimit të dekreteve. Të martën Meta dekretoi kthimin mbrapshtë për rishqyrtim në Kuvend të ligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në Kodin Penal”. Në arsyetimin  tij Meta tha se disa nene të këtij ligji përbëjnë rrezik për sigurinë juridike të qytetarëve.

Me kthimin e ligjit për “ndryshime në Kodin Penal”, Meta e çon në 18 numrin e dekreteve të kthyer mbrapsht në këto dy vite në krye të Presidencës, shumë më shumë se çdo president tjetër gjatë gjithë mandatit të tyre në historinë e Shqipërisë. Kjo shifër tregon edhe luftën institucionale që ka nisur mes Presidentit dhe Qeverisë. Më herët RealStory.al bëri një FACT CHECKING në lidhje me kthimin mbrapsht të dekreteve të Presidentit Meta krahasuar me presidentët e tjerë, nga doli se Meta ka thyer më shumë ligje në këto dy vite, se Nishani në 5 vjet në krye të Presidencës.

Në arsyetimin e tij për kthimin e Kodit Penal në Kuvend, Meta argumenton se ky ligj duhet të rikthehet  për rishqyrtim të disa neneve pasi “nuk janë në harmoni apo në ndonjë rast mbivendosen me parashikime të tjera të Kodit Penal, shkaqe këto, që mund të sjellin zbatim të gabuar në praktikë apo keqinterpretim me pasojë cenimin e parimeve kushtetuese dhe të sigurisë juridike.”

Meta nuk harron të sulmojë edhe qeverisë, edhe pse me një gjuhë të zbutur, duke thënë se kjo çështje keqinterpretimi i këtyre ndryshimeve vjen si pasojë e mungesës së Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese, që të bëjnë unifikimin dhe interpretimin ligjor të tyre. Në fakt këto dy institucione janë duke kaluar në proces vettingu dhe se në vjeshtë pritet ngritja dhe funksionimi i tyre.

Presidenti Meta argumenton se në mungesë të tyre i takon Kuvendit të tregohet më i kujdesshëm në hartimin e dispozitave të reja të Kodit Penal.

Duke pasur parasysh se Gjykata e Lartë, që është e ngarkuar për unifikimin apo edhe interpretimin e përdorimit të normave ligjore, prej disa muajsh nuk është funksionale dhe askush nuk mundet të parashikojë sot se kur do të plotësohet kjo trupë gjyqësore me numrin e nevojshëm të gjyqtarëve që mund të bëjnë unifikimin e praktikës gjyqësore në procesin penal, vlerësohet se nuk do të jetë e mundur kryerja e analizës gjithëpërfshirëse të ndryshimeve dhe efekteve që mund të kenë ndryshimet e propozuara mbi efektivitetin në sistemin e drejtësisë penale. Pra, në këto kushte ku ndodhet vendi, pa Gjykatë të Lartë dhe Gjykatë Kushtetuese funksionale, i takon Kuvendit të Shqipërisë që të tregojë kujdesin maksimal gjatë hartimit dhe miratimit të dispozitave të reja në Kodin Penal, që krijojnë figura të reja të veprave penale, pasi kriminalizimi i sjelljeve apo veprimeve në figura krimi, ndërkohë që ende nuk është funksionale trupa gjyqësore që mund të bëjë unifikimin e praktikës gjyqësore në këtë drejtim, mund të sjellë si rezultat aplikim të ndryshëm të normës në praktikë, duke krijuar rrezik për cenim të parimit të sigurisë juridike të shtetasve apo dënimin pa ligj.” –shkruan Meta në arsyetimin kthimit të ligjit të ndryshimeve të bëra në Kodin Penal.

Ndryshimet në Kodin Penal u miratuan në seancën e fundit të Kuvendit për këtë sesion parlamentar me 96 vota pro dhe 11 vota kundër. Gjatë argumentimit në parlament,  Kryetari i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla tha se këto ndryshime “ashpërsojnë dënimeve për veprat e dhunës ndaj policit, mjekut, sportistit, arbitrit, dhe trajnerit, funksionareve publike dhe të zgjedhurve, apo atyre që shërbejnë në shërbimin publik si dhe përfshirja e veprave të reja penale për adresimin e duhur të çështjeve të dhunës si akte që ngarkojnë me përgjegjësi penale.” /Realstory.al

Kryebashkiakët e PD rrezikojnë një vit burg nëse nuk lirojnë zyrën

‘Vazhdimi i ushtrimit të funksionit shtetëror apo të shërbimit publik nga ana e personit që është vënë në dijeni të vendimit apo rrethanës që u ka dhënë fund ushtrimit të tyre, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit”, ky është përcaktimi i nenit 249 të Kodit Penal, për “Kryerjen e funksionit pas dhënies fund të tij”. Ky nen parashikon qartë se çdo zyrtarë i lartë që ‘vijon të kryejë detyrën, pasi është vënë në dijeni të vendimit se funksioneve të tij u është dhënë fund”, përfundon në burg. Ky nen i Kodit Penal prek të gjithë zyrtarët publik, përfshirë këtu edhe kryetarët në ikje të bashkive në vend, që refuzojnë të lirojnë zyrat që kanë mbajtur për katër vjet. Në këto kushte, nga Devolli, në Kavajë, Kamëz, Shkodër, Selenicë, e ku do opozita ka drejtuar bashktië katër vitet që shkuan, kryetarët që largim janë subjekt i trajtimit të ligjit sipas këtij neni, nëse do të refuzojnë të lirojnë zyrat, apo thënë ndryshe, nëse do të vijojnë të ushtrojnë funksione shtetëror apo të shërbimit publik, pasi janë lajmëruar se këtyre funksioneve u është dhënë fund.

Devolli ishte bashkia e parë, ku PD mati forcën duke mos lejuar hyrjen normale në zyrën e bashkisë të kryetarit të ri, Eduard Duro. I zgjedhuri i PD, Bledjon Nallbati, që drejtoi Devollin në katër vitet që shkuan, ditën që u bë betimi i të zgjedhurit të ri në krye të bashkisë, qëndroi në zyrë duke mos pranuar të largohej prej saj. Në këto kushte, Eduard Duro u detyrua që të hapte me forcë derën e bashkisë, duke u futur në zyrën e kryetarit të premten e javës së kaluar. Ndërkohë, prej ditësh, në Devoll PD vijon protestat duke mos lejuar, që Eduard Duro, të ushtrojë normalisht funksionet e tij ligjore si kryetar i bashkisë. Ndërkohë, ish-kryetari i PD-së, është shprehur se “do të zbatoj dekretin e presidentit, duke ushtruar detyrën time si kryetar në shërbim të qytetarëve”. E njëjta situatë u pa një ditë më parë edhe në qytetin e Kavajës.

Militantët e Partisë Demokratike të udhëhequr nga ish-kryetari i bashkisë, Isa Sakja, penguan me forcë betimin si kryetar të ri të bashkisë të Redian Kralit. Megjithatë, i zgjedhuri në 30 qershor për të drejtuar Bashkinë Kavajë, bëri betimin në ambientet e prefekturës, por kur shkoi në bashki, derën e gjeti të mbyllur. U desh ndërhyrja me forcë për të hapur bravën e derës, në mënyrë që kryetari Redian Krali të futej në zyrën e tij si kryetar i ligjshëm i bashkisë së Kavajës. Këto skena, pritet të ndodhin kudo në bashkitë ku PD ka qeverisur për katër vitet që shkuan. Shkodra dhe Kamza, janë dy bashkitë ku kryetarët e zgjedhur nga PD, Voltana Ademi dhe Xhelal Mziu kanë paralajmëruar se nuk do të lirojnë zyrën. Radha e betimit të kryetarëve të rinj, Valdrin Pjetrit në Shkodër dhe Rakip Sulit në Kamëz, ende nuk ka ardhur për këto bashki, megithatë paralajmërimet e Ademit dhe Mziut të lën të kuptosh se nuk do të ketë një situatë normale./Realstory.al/

Lobimi rus në SHBA, sa vite burg rrezikon Lulzim Basha

Prokuroria shqiptare thirri të enjten pasdite si të pandehur kreun e Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe dy funksionarë të lartë të PD-së siç është ish-sekretari i Përgjithshëm Arben Ristani dhe financieri Ilir Dervishi.

Ata akuzohen për disa vepra të rënda penale siç janë “Pastrim të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale (pastrim parash)” dhe “Falsifikim të vulave, stampave ose formularëve”, akuza këto që rrezikojnë t’i dënojnë me mbi 5 vite burg.

Kjo është e parashikuar në nenin 287 dhe 190 të Kodit Penal:

Kodi Penal

Neni 287

“Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë Kriminale”

ç)kryerjes së veprimeve financiare ose transaksioneve të copëzuara për shmangien nga raportimi, sipas legjislacionit për parandalimin e pastrimit të parave dënohet me burgim nga pesë deri në dhjetë vjet.

Neni 190/3

“Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”

Kur falsifikimi bëhet nga personi që ka për detyrë hartimin e tyre, dënohet me burgim nga tre deri në shtatë vjet.

Mediat e shkruara raportojnë të premten se prokuroria shqiptare u ndihmua me informacion nga FBI-ja për këtë çështje. I gjithë hetimi ka nisur pasi u publikua investigimi i revistës amerikane “Mother Jones” vitin e shkuar, mbi lobimin prej 675.000 dollarësh nga Partia Demokratike, përmes kompanisë “Stonington Strategies” të lobistit Nick Muzin, ku ngriheshin dyshime se pas një pjese të pagesave të bëra nga kompania “Biniatta Trade LP”, me qendër në Skoci, qëndrojnë biznesmenë rusë. Menjëherë pas këtij publikimi nisën tri hetime paralele: në SHBA, Skoci dhe Shqipëri, të cilat janë ende aktive. Prokuroria shqiptare nëpërmjet letër-porosive kërkoi ndihmë nga SHBA dhe Skocia nga ku përfitoi shumë informacione të vlefshme.

Ditën e hënë më datë 17 qershor, Lulzim Bashës i duhet të paraqitet në prokurorinë e Tiranës për t’u pyetur për këtë dosje, ndryshe prokuroria njofton se ai do të shoqërohet me forcë përmes policisë.

5 vjet burg po dhunove mjekët

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka njohur qytetarët në një takim konsultativ, me ndryshimet më të fundit në Kodin Penal, ku është parashikuar burgosje deri në 5 vjet burg për ata persona që dhunojnë mjekët.

Në fjalën e saj Manastirliu bëri thirrje që qytetarët të denoncojnë rastet e korrupsionit në shëndetësi.

 “Në Kod, do të parashikohet për herë të parë që dhuna ndaj profesionistëve të shëndetit është e dënueshme nga 1 deri në 5 vite lirie. Gjithashtu, parashikohet një rëndim i dënimit për kanosjen e mjekut, duke shtuar një paragraf të ri në ligj që dyfishon dënimin për kanosjen e tyre. Shtohet gjithashtu një nen i ri, kundravajtje penale për “pengimin e ushtrimit të detyrës së profesionistit shëndetësor”, çka do të ofrojë një mbrojtje shtesë për të gjithë personelin mjekësor”, tha Manastirliu.

Një tjetër ndryshim i rëndësishëm që propozohet dhe do të ndërmerren, lidhet me ndarjen e gabimit mjekësor nga neglizhenca në mjekim.

 “Ka qenë një kërkesë e kahershme e komunitetit të mjekëve për dekriminalizimin e gabimit mjekësor. Me këto ndryshime është hequr si vepër penale gabimi mjekësor, por neglizhenca në mjekim dënohet në mënyrë të përshkallëzuar, në varësi të shkallës së dëmtimit të pacientit”, tha Manastirliu.

Gjatë fjalës së saj në bashkëbisedimin me mjekët, Ministrja e Shëndetësisë mbajti një qëndrim të prerë lidhur me korrupsionin e bluzave të bardha. Duke e konsideruar një fenomen që turpëron të gjithë armatën e bluzave të bardha, Manastirliu deklaroi zero tolerancë për korrupsionin në shëndetësi.

 “Unë jam në krah të çdo qytetari që denoncon, por edhe ju duhet të jeni në krah të çdo qytetari që denoncon dhe askush nuk mund të falet sepse përpos faktit që kryen një vepër të paligjshme, thellon hendekun mes jush dhe pacientëve”, tha Manastirliu.

Zbardhen ndryshimet në Kodin Penal. 3 vjet burg kush bllokon rrugët

Opozita dhe protestuesit e saj tani duhet të maten mirë para se të bllokojnë rrugët e vendit. Maxhoranca ka dërguar në kuvend propozimet e saj për të ndryshuar Kodin Penal dhe një prej pikave është që personat që bllokojnë rrugët të dënohen deri në 3 vite burg.

Një tjetër ndryshim në Kod është ai për mjekimin e pakujdesshëm të pacientëve që dënohet deri me 4 vjet burg. Neglizhenca në trajtimin mjekësor që shkakton vdekjen e pacientit, dënohet me burgim deri në katër vjet. Ndërkohë që në nenin aktual, është nga gjobë ose me burgim deri në 5 vjet.

Një nen i veçantë krijohet edhe për shkeljen e të drejtave të autorit, ku çdo vepër që  mbrohet nga e drejta e autorit dhe që shpërndahet pa pëlqimin e tij, dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy vjet, dhe nëse bëhet në bashkëpunim ose në mënyrë të përsëritur, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.

Ndryshime pëson dhe neni që parashikon dënimet për ndotjen e ajrit.  “Nëse ndotja e ajrit apo në thellësitë e tokës nga shkarkime, apo futje në përdorim të materialeve me rrezatim jonizues dhe radioaktiv, apo lëndëve toksike bëhet në zona të mbrojtura me ligj: Ndëshkimi shkon deri në 5 vjet!”

Skip to toolbar