Dhuna, dënime penale e disiplinore. Çfarë rrezikon Tirana dhe tifozët

AKTUALITET


Tirana rrezikon dënim të rëndë, pas dhunës në derbi dhe gropave të mbushura me lëndë plasëse. Ekipi bardheblu pritet të jetë subjekt i Komisionit të Disiplinës sportive, që pritet të mblidhet në mesin e javës. Po çfarë parashikon Kodi i Disiplinës Sportive në rastet kur në një ndeshje futbolli ka dhunë, invadohet fusha nga tifozët, hidhen lëndë piroteknike apo sende të forta në fushë, ka sjellje të gabuar të tifozëve apo përdoren kore denigruese dhe raciste?

Sipas Nenit 56 të Kodit të Disiplinës, ku sanksionohet ndëshkimi për Diskriminimin, individi apo individët që përdorin fjalë denigruese në lidhje me racën, ngjyrën, gjuhën, besimin fetar ose orgjinën, pezullohet me 5 ndeshje, dhe dënohet me gjobë 100.000 lekë. Ndërkohë, klubi i Tiranës do të jetë subjekt i Nenit 64 të Kodit të Disiplinës, i cili sanksionon ndëshkimet për dështimin e përmbushjeve të përgjegjësive. Në këtë nen thuhet: “Në rastet e shkeljeve të rënda mund të ndërmerren dënime të tjera, si zhvillimi i ndeshjes pa spektatorë, zhvillimi i ndeshjes në fushë asnjanëse, ndalimi i zhvillimit të ndeshjes në stadiumin përkatës, anulimi i rezultatit të ndeshjes, përjashtimi nga një garë ose kampionat, dhe/ose humbje e ndeshjes në tavolinë”.


Ndërkohë, në Nenin 65, “Përgjegjësia për sjelljen e spektatorëve”, thuhet: “Personat juridikë, shoqatat dhe/ ose klubet mikpritëse të ndeshjeve janë përgjegjëse për sjelljen e gabuar të spektatorëve, pavarësisht se faji mund të kryhet me vetëdije apo pa vetëdije dhe si rrjedhim dënohen me gjobë në çdo rast. Mund të vendosen edhe dënime të tjera në rastin e verifikimit të ngjarjeve të rënda”.

“Personat juridikë, shoqatat dhe/ose klubet mike janë përgjegjëse për sjelljen e gabuar të grupit të tyre të spektatorëve, pavarësisht se faji mund të kryhet me vetëdije apo pa vetëdije dhe si rrjedhim dënohen me gjobë në çdo rast. Mund të vendosen edhe dënime të tjera në rastin e verifikimit të ngjarjeve të rënda. Nëse nuk provohet e kundërta, tifozët të cilët qëndrojnë në sektorin e miqve në stadium konsiderohen si tifozë ose mbështetës të ekipit mik (personat juridikë, shoqatat dhe/ose klubet mike)”, thuhet ndër të tjera, ndërsa kuptohet, që veç Tiranës subjekt i Kodit të Disiplinës do të jetë dhe Partizani.

Megjithatë, nëse Tirana mund të shpëtojë me gjobë apo disa ndeshje pa tifozë, personat përgjegjës për aktet e dhunës në stadium do të jenë subjekt i Kodit Penal. Konkretisht, këta persona do të jenë subjekt i neneve të shtuara në Kodin Penal që parashikon masa të ashpra për dhunën në stadium. Realstory.al, publikon ndëshkimet që mund të marrin personat e përfshirë në dhunë, apo që hodhën lëndë piroteknike në ndeshjen derbi Tirana-Partizani.

Në datën 24 shtator u botuan në Fletoren Zyrtare ndryshimet në Kodin Penal, që ashpërsojnë masat për të gjithë personat që shkaktojnë akte dhune në stadime apo gara sportive. Sipas Nenit 274/a, “Goditja ose vepra të tjera dhune ndaj sportistit, trajnerit, arbitrit, ndërmjetësit sportiv, për shkak të veprimtarisë sportive, dënohet me burgim nga një deri në tre vjet.  Po kjo vepër, kur kryhet në mjediset sportive më shumë se një herë, apo është kryer nga drejtues apo anëtarë të klubeve sportive, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet”, thuhet në nenin e ri të Kodit Penal, që do të përdoret për akte të shëmtuara në tribunat e stadiumeve.

Në ndryshimet e Kodit Penal, është shtuar dhe Neni 274/b, i cili parashikon masa ndëshkuese të ashpra edhe për tifozët që hedhin mjete piroteknike, fishekzjarre, flakadanë  gjatë zhvillimit të një ndeshje. Tifozët, që kryejnë aktet e sipërpërmendura, do të dënohen deri në 3 vjet me burg.

“Hedhja e sendeve të forta në fushën e lojës ose mbi masën e njerëzve, mbajtja apo përdorimi i lëndëve piroteknike, fishekzjarrëve, flakadanëve, gjatë zhvillimit të një aktiviteti sportiv, dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet. Hyrja në fushën e lojës, gjatë kohës së zhvillimit të aktivitetit sportiv, nga persona të paautorizuar ose pengimi i zhvillimit normal të aktivitetit sportiv, dënohet me burgim nga një deri në tre vjet. Po  kjo vepër penale, kur kryhet në aktivitetet sportive ndërkombëtare, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet”, thuhet në nenin e shtuar në Kodin Penal./Realstory.al/




Skip to toolbar