Policia ka vënë në pranga sot 63 vjeçarin Skënder Hoxha, i cili pranoi se vrau bashkëshorten e tij, Antoneta Hoxha në fshatin Vagalat të Memaliajt.
Ngjarja e rëndë ndodhi mëngjesin e sotëm, ku një grua me emrin Antoneta Hoxha, 53 vjeç u gjend e pajetë nga komshinjtë e saj, me plagë të rënda në kokë dhe në krah.
Që në fillim policia dyshoi se gruaja mund të ishte vrarë nga bashkëshorti i saj, megjithëse fqinjët thanë se ata ishin një çift mjaft i qetë. Por dyshimet dolën të sakta. Mësohet se 63 vjeçari Skënder Hoxha ka pranuar vetë në polici se ka qenë ai që ka vrarë gruan Antoneta Hoxha, nënë e katër fëmijëve, tre vajza të martuara dhe një djali.
“E vrava unë. Debatuam, nuk durova dhe e qëllova. Nuk doja të vdiste”, citohet të ketë thënë Skendër Hoxha.
Deklarata zyrtare e Policisë:
“Pas njoftimit të marrë se shtetasja A.H., banuese në fshatin Vagalat, Bashkia Memaliaj, u gjet nga familjarët e pajetë në banesë, me dëmtime në kokë, menjëherë u ngrit grupi hetimor ku në bashkëpunim Prokurorinë kryen veprimet e para procedurale. Në përfundim të veprimeve të para hetimore, Specialistët e Stacionit të Policisë Memaliaj nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër bënë arrestimi në flagrancë të shtetasit S.H., 63 vjeç, i cili ka vrarë bashkëshorten e tij, shtetasen A.H., 53 vjeçe. Materialet i kaluan Prokurorisë për hetime të mëtejshme”.