SPAK, deputetët e Sigurisë paralajmërojnë hapjen e dosjeve të bujshme

AKTUALITET


Reforma në Drejtësi nuk do të ndalet dhe pritet që brenda këtij viti të japë rezultate konkrete. Prokuroia e Posaçme e Hetimit, ose siç njihet ndryshe, SPAK, është drejt ngritjes dhe në shtator do të jetë funksionale. Ndërkohë deputetët e maxhorancës, anëtarë të Komisionit Parlamentar të Sigurisë paralajmërojnë se me ngritjen e SPAK, askush nuk do t’i shpëtojë drejtësisë së re, as ata që i kanë dosjet e hapura aktualisht dhe as ata që i kanë të mbyllura. Dosjet e bujshme pritet të hapen sërish dhe drejtësia e re të thotë fjalën e saj për zyrtarë dhe politikanë të korruptuar apo të inkriminuar.

Një përgjigje për këtë e dhanë për gazetën “SOT” anëtarët e Komisionit të Sigurisë. Deputeti socialist, Xhemal Qefalia u shpreh shkurt dhe qartë se asgjë dhe askush nuk do t’i shpëtojë SPAK. “Asgjë dhe askush nuk do t’i shmanget Reformës në Drejtësi”, deklaroi Qefalia. Anëtarja tjetër e Komisionit të Sigurisë, Antoneta Dhima nga ana tjetër paralajmëroi rihapje të dosjeve të bujshme përmes SPAK. Sipas saj, çdo zyrtar me dosje në prokurori do të ndëshkohet nga drejtësia e re. “Për të gjithë ne është shumë e qartë se reforma në drejtësi do të nisë nga ata zyrtarë apo biznese që janë gjetur me shkelje, abuzime, që dosjet e tyre i kanë të hapura dhe ende nuk ka një vendimmarrje nga drejtësia si dhe dosjet e atyre zyrtarëve apo bizneseve të cilat janë të mbyllura. Institucionet e krijuara deri tani, si dhe ato që po krijohen nga zbatimi i reformës në drejtësi, nuk duhet të tolerojnë askënd. Prokurorëve të posaçëm do t’iu dorëzohen të gjitha dosjet që kanë të bëjnë me korrupsionin e zyrtarëve të lartë dhe ato për krimin e organizuar si dhe dosjet e mëdha të cilat janë mbyllur. Prokurorët e SPAK kanë të drejtë të hetojnë që nga Presidenti, kryeministri, ministri, deputetët e deri tek drejtuesit dhe zyrtarët e lartë të institucioneve të tjera në varësi të Qeverisë ose jo”, tha Antoneta Dhima.

Politikanët e korruptuar do të jenë të detyruar të japin llogari shumë shpejt para drejtësisë së re.

Pas ngritjes së SPAK menjëherë do të nisë puna për ngritjen e BKH-së. “Komisioni i përbërë nga Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme dhe dy prokurorë të posaçëm me më shumë vite eksperiencë pune si prokuror, pas një procesi rekrutimi të hapur dhe transparent, rekomandojnë një kandidat për Drejtor të Byrosë Kombëtare të Hetimit, i cili emërohet nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Drejtori emërohet për një mandat 5-vjeçar, me të drejtë riemërimi një herë”, thuhet në nenin 33 të ligjit. Po ashtu, aty përcaktohet se një komision i përbërë nga tre prokurorë të Prokurorisë së Posaçme, njëri prej të cilëve është drejtuesi i saj dhe dy të tjerët zgjidhen çdo vit me short, do të duhet të mbikëqyrin punën e kryer nga drejtori.

 Pra, sipas të gjitha gjasave, brenda këtij viti do të jenë gati si Struktura e Posaçme Antikorrupsion, ashtu edhe Byroja Kombëtare e Hetimit. Këta dy organe do të kenë në dorë goditjen e korrupsionit në nivelet më të larta dhe hetimin e arrestimin e “peshqve të mëdhenj”.



Skip to toolbar