Çfarë duhet për t`u bërë pjesë e BKH

#NËRADAR


Të premten kreu i Prokurorisë së Posaçme Arben Kraja njoftoi hapjen e garës për zgjedhjen e drejtuesit të Byrosë Kombëtare të Hetimit, një nga dy strukturat më të rëndësishme të SPAK. Kraja u bën thirrje kandidatëve potencial të marrin pjesë në këtë konkurrim. Ndërkohë, Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH), do të vihet së shpejti në funksion edhe me ndihmën e SHBA.

Po çfarë duhet për t`u bërë pjesë e BKH-së?


Të gjitha kriteret e përzgjedhjes të hetuesve të BKH-së janë të përcaktuara në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për luftën kundër krimit të organizuar”. Krieteri i parë është që aplikanti të jetë shtetas shqiptar. Gjithashtu, aplikanti duhet të ketë arsim të lartë policor, në drejtësi apo kontabilitet, ose arsim të lartë në degë të tjera që lidhen me misionin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, nga një universitet vendas apo i huaj. Kandidatët duhet të kenë më shumë se 1 vit punë në institucionet e zbatimit të ligjit ose në një fushë tjetër që lidhet me qëllimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Gjithashtu, kandidati duhet të ketë plotësuar me sukses kritetert e përzgjedhjes dhe trajnimit për BKH-në.

Cilat janë fazat e përzgjedhjes?

Fillimisht, kandidati bën plotësimin e një aplikimi online, përfshirë një jetëshkrim elektronik dhe dokumentet mbështetëse, si dhe një deklaratë me shkrim mbi motivimin për t`u bërë pjesë e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Më pas, ai i nënstrhohet një provimi me shkrim dhe me gojë, ku përfshihen teste konjitive, te sjelljes dhe të arsyetimit logjik. Gjithashtu, kandidati do t`i nënshtrohet një provimi të zgjeruar me shkrim që mat aftësitë e shkrimit të raporteve, si dhe nivelin e shkrimit dhe leximit. Më pas ai do të intervistohet nga një komision që mat aftësitë e komunikimit verbal, si dhe aftësitë për t`i komunikuar idetë me efiçencë. Pas të gjithë këtyre testimeve, kandidati do të kalojë në testimet e aftësisë fizike, që mat forcën dhe rezistencën fizike.

Ndërkohë, ndaj kandidatit do të kryhet një hetim mbi verifikimin e figurës, i cili konfirmon se personi nuk është dënuar e nuk është shpallur më parë fajtor për vepra penale; dhe të ketë dhënë pëlqimin për t’iu nënshtruar testit të poligrafit rreth integritetit të kandidatit. Informacioni në raportin e përgatitur nga specialisti i poligrafit merret në konsideratë gjatë procesit të emërimit dhe atij të riemërimit.

Trajnimi dhe arsimi i kandidatit për BKH

Faza e fundit është ajo e trajnimit dhe arsimimit të kandidatit të përzgjedhur. Në këtë fazë, aplikanti do i nënshtrohet një regjimi regjimi rigoroz trajnimi dhe arsimimi, me një sërë modulesh vlerësimi që duhen kaluar përpara se të certifikohet. Pasi është certifikuar si i trajnuar dhe i aftë, kandidati konsiderohet hetues. Të gjithë hetuesit japin pëlqimin për t’iu nënshtruar një testi të poligrafit rreth integritetit çdo dy vjet. Informacioni në raportin e përgatitur nga specialisti i poligrafit merret në konsideratë gjatë procesit të riemërimit./Realstory.al/




Skip to toolbar