Nishani: Votimi në PD nuk solli asnjë risi, Basha nxitoi të bënte maskaradë elektorale për karrigen

Më të fundit


Kryetari i Këshillit Kombëtar të PD-së Bujar Nishani deklaroi sot se 13 qershori, votimi për kryetarin e PD-së nuk solli asnjë risi, asnjë zgjidhje e asnjë shpresë pas humbjes dramatike të zgjedhjeve të 25 prillit dhe traumës politike e psikologjike që solli 25 prilli ndër votuesit e PD.

Në reagimin e tij, Nishani shprehet se “për herë të parë në historinë e jetës së saj PD mbetet 3 mandate rresht në opozitë dhe me rezultat përsëri më të ulët se ai i vitit 2013, kur doli në opozitë pas 8 viteve në qeverisje”.


“Kjo humbje dëshpëruese për PD ishte deri diku e paralajmëruar kohë më parë, ndaj kërkonte marrjen e masave të forta para se të mbërrinte 25 prilli”, u shpreh Nishani.

“Së pari, Edi Rama e kishte shndërruar pushtetin e tij të pakufizuar e të pakontrollueshëm nga askush pothuajse në një regjim kleptokratik ku korrupsioni, antiligji, dhe fasada propagandistike ishin kolonat e ngrehinës që mbante peng shqiptarët. Së dyti, Lulëzim Basha, e kishte mbajtur opozitën në një stanjacion politik, strukturor, pa nerv vibrant e larg qytetarisë, larg kolonave përfaqësuese të së djathtës dhe elitës së vendit. Një situatë absurde ku të gjitha sondazhet reale e tregonin liderin 10 pikë % poshtë pëlqyeshmërisë së partisë, çka paralajmëronte se PD do mund të mblidhte veç votat e elektoratit të saj historik e asnjë votë nga pjesa “gri” që në fakt përcakton se nga do të anojë shumica e re”, u shpreh Nishani.

“Lulzim Basha nxitoi të bënte një maskaradë elektorale për karrigen e tij dhe tashmë zgjedhje antistatutore të parakohshme për institucionet drejtuese të Partisë. Imagjinoni sikur Basha të kishte pasur forcën, energjitë dhe zotësinë të kishte realizuar zgjedhjet e parakohshme politike në vend (të cilat i premton rregullisht që prej 2015) siç bën ato në partinë që komandon vetë, se sa ndryshe do të ishin demokratët dhe vetë PD, sot”, tha ai.

Po ashtu, Nishani shtoi se 13 qershori tregoi edhe një fakt të rëndë për vetë PD.

“Përsëri për herë të parë në historinë e saj, PD drejtohet nga një kryetar i cili doli nga procesi zgjedhor me votat e vetëm 30% të anëtarësisë, pra që përfaqëson minorancën brenda kësaj partie, madje duke marrë 40% më pak vota se sa kishte marrë në zgjedhjen e tij paraardhëse në 2017. Imagjinoni tani se sa do të mundet të motivojë e bëjë për vete ky “udhëheqës” elektoratin shqiptar në zgjedhjet e ardhshme kur brenda partisë së tij ka rënë me 40%”, u shpreh Nishani.

“PD nuk mund të ketë sukses duke u drejtuar nga një kryetar i paaftë dhe jo serioz. PD i duhet një lidership ndryshe. I duhet jo një lidership që quhet i tillë sepse cakton emrat e Kryesisë së Partisë, apo sepse vendos listën e deputetëve, por një lidership me forcë dhe integritet që fiton besimin, simpatinë, solidaritetin dhe mbështetjen e shumicës së shqiptarëve pavarësisht faktin nëse janë anëtar të PD, simpatizantë të saj apo qytetarë pa afilacione partiake”, tha ai.




Skip to toolbar