Negociatat për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut po shkojnë sërish drejt shtyrjes, pasi kryeministrat e vendeve anëtare të BE nuk kanë arritur të kenë asnjë marrëveshje gjatë të enjtes dhe paradites së të premtes, ndërkohë që samiti vijon të diskutojë për çështjet klimaterike.
Euroactiv raporton se kryeministrat nuk kanë arritur të kenë një dakordësi, duke e lënë pa vendim çështjen e negociatave me Shqipërinë, ndërsa zërat janë se kjo çështje mund të diskutohet në një takim tjetër të liderëve të BE-së. “Një rinisje e bisedimeve për zgjerimin nuk është në axhendën e sotme, megjithëse një përmendje mbi ndryshimin procedural në konkluzionet përfundimtare nuk përjashtohet plotësisht”, tha një diplomat i BE, citon Euractiv.
Ndërkohë, Kryeministri i Bullgarisë, Boyko Borisov, ka deklaruar se asgjë nuk ka përfunduar për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut sa i takon çeljes së negociatave. “Asgjë nuk ka mbaruar për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ajo vetëm po shtyhet. Është një fakt që ne nuk pranuam të kishim një vendim me shkrim për zgjerimin në Këshill. Ata kanë mbështetjen tonë që nga fillimi dhe gjithçka që filloi mund të përfundojë për gjashtë deri në shtatë muaj. Kam pasur një bisedë të gjatë me Zoran Zaev, dhe e këshillova që të mos jepte dorëheqjen. Ai bëri shumë dhe ka shumë për të bërë” tha Borisov.