Lëvizja studentore ka reaguar në lidhje me protestën e sotme të studentëve duke u distancuar nga dhuna që u përdor. Në deklaratën e saj, Lëvizja Studentore thekson se protesta e dhjetorit ishte krijimtari konstruktive, pa qenë nevoja të thyhej asnjë xham dhe të përdorej dhunë e verbër.
“Protesta e studentëve në dhjetor 2018 ishte një ngjarje historike për Shqipërinë.
Protesta e studentëve në dhjetor 2018 ishte preludi i bojkotit mbarëuniversitar në janar që i ndau studentët dhe pedagogët në dysh; nga njëra anë subjekte emancipues dhe nga tjetra shërbëtorë të pushtetit.
Protesta e studentëve në dhjetor 2018 ishte krijimtari konstruktive, jo dhunë e verbër dhe vulgare; ishte thyerje e hegjemonisë shurdh-memece të pushtetit pa qenë nevoja të thyhej asnjë xham.
Protesta e studentëve në dhjetor 2018 ishte refuzim i katërҫiptë i llumit tre-partiak të politikës nëpërmjet kërkesave thellësisht politike.
Protesta e studentëve në dhjetor 2018 ishte anti-sistemore përmes kerkesave brenda-universitare, sepse ky sistem politik nuk mund të bashkëjetojë me arsimin publik cilësor dhe falas për të gjithë.
Protesta e studentëve në dhjetor 2018 ishte ndërhyrje demokratike në sferën universitare dhe sociale. Anulimi i ligjit në arsim ngelet parakushti për një proces demokratik reformimi të universitetit, jo preteksi për rotacion pushtetor shterp.
Protesta e studentëve në dhjetor 2018 është frymëzimi për organizim dhe koordinim edhe më të fuqishëm në të ardhmen, përmes njohjes së problematikave studentore dhe gjithëpërfshirjes universitare në përpjekjet që do të vijnë.
Për Universitetin, Për Shoqërinë!”, thuhet në reagimin e Lëvizjes Studentore.