Letra e presidentit Meta që u bë publike të hënën pasdite, përmes të cilës njoftonte se një tërmet apokaliptik rrezikonte Shqipërinë dhe gjithë Ballkanin, përveç habisë ka shkaktuar edhe humor jo vetëm në rrjetet sociale, por edhe në instancat e larta shtetërore. Kjo për faktin se tërmetet janë dukuri natyrore që nuk parashikohen dot as nga shkencëtarët dhe as nga sizmiologët, por edhe për shkak se presidentit të një shteti nuk i takon të merret me këto çështje. Gjithsesi përgjigjen me humor ia ka kthyer zëdhënësja e qeverisë, Elisa Spiropali e cila i kërkon presidentit që ta anulojë me dekret tërmetin.
“Baba Xhike të kemi rixha, nxirr një dekret e shtyje atë tërmet se na le pa gjumë. Kjo ishte batuta më e bukur e rrjetit për parashikuesin e parë në botë të tërmetit,”-shkruan Spiropali në twitter.
Reagimi i saj me humor dhe tallje lidhet edhe me qëndrimet e presidentit i cili përmes një dekreti anti kushtetues anuloi zgjedhjet e 30 qershorit në kundërshtim me kompetencat që i njeh Kushtetuta. Për këtë akt presidenti është në prag të shkarkimit nga parlamenti i cili ka nisur procedurat parlamentare për shkarkimin e tij.