Anëtari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Besnik Cani, është duke u përballur me shkallën e dytë të Vettingut. Pasi kaloi me sukses dy vite më parë në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, Cani u rikthye në Vetting me kërkesë të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, që kërkon shkarkimin e tij.
Megjithatë, ndryshe nga kolegët e tij që janë rikthyer në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit dhe i janë nënshtruar verdiktit të këtij institucioni, Besnik Cani ka zgjedhur të mbrohet. Kështu, pas shtyrjes së seancës së datës 8 janar, Besnik Cani doli të hënën përsëri përpara Kolegjit të Posaçëm të Apelimit. Këtë herë, ai shoqërohej nga avokati i tij mbrojtës, ish-deputeti demokrat Eduart Halimi.
Avokati i Canit u shpreh se “gjatë këtyre ditëve është vënë në dijeni se dy prej anëtarëve të trupës, Artan Hajdari dhe Luan Daci, janë në kushtet e pazgjidhshmërisë”. Ndërkohë, Besnik Cani ka bërë kërkesë në KPA për përjashtimin e dy anëtarëve, Hajdari dhe Daci nga trupa gjykuese ndaj tij.
Gjithashtu, për Luan Dacin, Besnik Cani mësohet të ketë bërë një kallëzim penal në SPAK me pretendimin se ka “falsifikuar formularët”. Pra, anëtari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë duket se ka vendosur të bëjë rezistencë deri në fund ndaj Kolegjit të Apelimit, lidhur me kërkesën e ONM për shkarkimin e tij nga detyra.
Besnik Cani u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në nëntor të vitit 2018. Megjithatë, vendimi i KPK-së u apelua nga Komisioneri Publik me rekomandim të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit. Sipas relacionit të publikuar nga Komisioneri Publik, Besnik Cani është me probleme në të tre kriteret e rivlerësimit; atë të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe aftësive profesionale.
“Nisur nga hetimi dhe vlerësimi i kryer nga Komisioni, sa i takon kritereve të rivlerësimit, bazuar në kërkesat e dispozitave të aneksit të Kushtetutës dhe ligjit të posaçëm nr. 84/2016, Komisioneri Publik konstaton se përfundimet e arritura nga Komisioni janë të gabuara dhe jo në pajtueshmëri me provat e administruara”, thuhet ndër të tjera në raportin e Komisionerit Publik.