Partia Demokratike ka publikuar të martën një dokument, qw sipas opozitës i përket Prokurorisë sw Firences, ku deklarohet se Valdrin Pjetri, kryetari i zgjedhur i Bashkisë Shkodër, është dënuar me 18 muaj burg dhe 1000 euro gjobë në Itali për drogë.
Sipas dokumenteve të PD, Valdrin Pjetri është arrestuar në flagrancë, së bashku me shtetasin Altin Doda, në datë 27 Janar 2003 në Firence. “Më datë 28 Janar 2003, përpara gjykatës, Valdrin Pjetri ka pranuar kryerjen e krimit dhe fajësinë, duke nënshkruar marrëveshje për dënimin e tij të menjëhershëm sipas legjislacionit penal Italian. Më datë 3 Shkurt 2003, Vladrin Pjetrit i është revokuar leja e qëndrimit dhe më datë 4 Shkurt 2003 ndaj tij është marrë masa e dëbimit nga Italia”, deklaroi PD, duke lexuar dokumentet e prokurorisë italiane. Sipas opozitës, Pjetri është dënuar nga Gjykata e Firences disa muaj pas dëbimit, me vendimin e formës së prerë të datës 12 Qershor 2003, me 18 muaj burg dhe 1000 Euro gjobë, për veprën penale “shpërndarje, dhe prodhim të lëndëve narkotike dhe lëndëve të tjera të paligjshme psikotrope”, të kryer në bashkëpunim. Për shkak të marrëveshjes së pranimit të fajësisë, gjykata ka urdhëruar pezullimin e dënimit.
“Të gjitha këto të dhëna provojnë se Valdrin Pjetri është subjekt ndalimi për të ushtruar një funksion publik nga ligji i dekriminalizimit. Sipas ligjit për dekriminalizimin nuk mund të kandidojnë dhe as të zgjidhen kryetarë bashkie, personat të cilët janë dënuar me burgim me vendim të formës së prerë, brenda apo jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, për prodhimin shitjen dhe trafikimin e narkotikëve dhe as personat që janë dëbuar nga territori i një shteti anëtar të BE.
Por, Valdrin Pjetri, në formularin e vetëdeklarimit nuk ka deklaruar asnjë nga faktet e publikuara nga PD. Madje, pas disa ditësh heshtje, ai është shprehur se nuk është dënuar dhe dëbuar ndonjëherë nga Italia. Tashmë i mbetet organit të prokurorisë të faktojë vërtetësinë e dokumenteve të publikuara nga opozita. Nëse akuzat rezultojnë të vërteta, Valdrin Pjetri, jo vetëm që shkarkohet nga detyra, por ai dërgohet për ndjekje penale, pasi ka gënjyer në formularin e vetëdeklarimit.
Pas denoncimit, dega e PD në Shkodër do të organizojë një protestë kundër tij ditën e mërkurë në orën 19:30. PD në Shodër njofton se së bashku me Aleancën qytetare do të protestojë kundër asaj që e quan uzurpim të Bashkisë Shkodër nga ‘banda’ e kryeministrit Rama.