Opozita propozon votimin elektronik: Shmang shit-blerjen e votës

POLITIKË


Opozita e bashkuar doli me një propozim konkret në lidhje me shmangien e fenomenit të shit-blerjes së votës, dhe ajo është votimi elektronik. Ish-deputeti demokrat Oerd Bylykbashi tha se opozita ka propozime konkrete për Reformën Zgjedhore që janë plotësisht të realizueshme, por se mazhoranca nuk dëgjon nga ai vesh. Bylykbashi tha se opozita është e vendosur të luftojë fenomenin e shit-blerjes së votës dhe votimi elektronik është një zgjidhje e saj.

“Ka propozime konkrete për zgjedhjet sa i përket votimit. Identifikimi elektronik, votimi elektronik, është një zgjidhje. Duhet të luftojmë shit-blerjen dhe manipulimin e votës, nëpërmjet marrjes së kartave të identitetit. Të luftojmë presionin dhe manipulimin që bëjnë qendrat e votimit. Do të bëjë të mundur heqjen e duarve nga kutitë e votimit dhe do të garantojë një numërim të besueshëm. Propozimi ynë është i qartë. Mesa duket mazhoranca nuk dëgjon nga ai vesh. Opozita drafton rekomandimet e OSBE/ODIHR. Zgjidhjet që nuk gëzojnë besimin e palëve nuk mund të jenë funksionale, komisionerët të ushtrojnë detyrën e tyre pa manipuluar votat. Zgjidhjet tona konkrete janë plotësisht të realizueshme.” tha Bylykbashi , i cili foli pas mbledhjes që opozita e bashkuar zhvilloi për rreth dy orë në lidhje me diskutimet me Reformën Zgjedhore, ku mblodhi grupin e saj të punës në selinë blu.


Takimi që nisi në orën 18:00 kishte në program të saj të diskutimit 3 pika kryesore që lidheshin me rekomandimet e ODIHR-it, votimin elektronik dhe shmangien e votimeve familjare.  




Skip to toolbar