Ardian Dvorani iu përgjigj pyetjeve të prokurorisë për gati 3 orë ditën e mërkurë në lidhje me padinë penale të depozituar nga presidenti Meta i cili e akuzon për shpërdorim detyre kreun e KED-së. I pyetur nga gazetarët se çfarë do të ndodhë nëse prokuroria vendos ndjekjen e tij penale, Dvorani tha se në bazë të ligjit ai pezullohet nga detyra dhe nga drejtimi i KED-së. Presidenca ka reaguar të enjten duke sqaruar se pezullimi i Dvoranit nuk e fut aspak në ngërç KED-në pasi në bazë të ligjit drejtimin e këtij institucioni e merr gjyqtari më i vjetër i Gjykatës Kushtetuese, që aktualisht është Vitore Tusha.
“Ligji nr. 115/2016, për funksionimin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi e ka zgjidhur shumë mirë këtë situatë në nenin 227 të tij, ku parashikon se “Anëtari më i vjetër në moshë nga Gjykata Kushtetuese është Zëvendëskryetari i KED-së. Zëvendëskryetari ushtron të gjitha funksionet e Kryetarit në mungesë ose pamundësi të këtij të fundit”.
Nuk është përgjegjësia penale e Ardian Dvoranit, që mund të bllokojë funksionimin normal të KED, por u bllokua qëllimisht funksionimi i KED për dy vite radhazi, që në krye të këtij organi të vihej Ardian Dvorani, për të konsumuar të tilla shkelje të rënda kushtetuese dhe ligjore.
Edhe mbledhja e djeshme e KED-së, e zhvilluar duke njoftuar dy Rende Dite të ndryshme, një të njoftuar publikisht dhe një të ndryshëm të njoftuar anëtarëve dhe pjesëmarrësve në Këshill, është një tjetër e dhënë e papërgjeshmërisë së këtij individi , përkundrejt zbatimit të transparencës së ushtrimit të detyrës ashtu siç kushtetuta dhe ligji ia kërkon”, reagon presidenca, e cila vijon akuzat drejtuar Dvoranit megjithëse çështja aktualisht është në duart e prokurorisë.
Kujtojmë se më herët Vitore Tusha ka njohur si anëtare të Gjykatës Kushtetuese emrin e Marsida Xhaferllarit të dekretuar nga presidenti Meta, dhe jo emrin e Arta Vorpsit të zgjedhur nga KED dhe të botuar në Fletoren Zyrtare. Madje sipas burimeve të Realstory.al këtë vendim Tusha e ka ndërmarrë me nismën e saj duke marrë mbështetjen e heshtur edhe të anëtarëve të rinj të Kushtetueses të dekretuar nga Meta. Përmes këtij vendimi Tushe tregoi se qëndron në krah të Metës dhe duket se padia ndaj Dvoranit e ka pasur një synim, spostimin e tij nga kreu i KED-së dhe vendosjen e Tushes në krye të këtij institucioni.