Flamurtari mori pikën e tretë në dhjetë javë kampionat, ndërsa Skënderbeu humbi shansin për t`u larguar nga zona e ftohtë e renditjes. Ndeshja e së hënës pasdite mes skuadrës vlonjate dhe asaj korçare u mbyll në barazim 1-1. Skuadra e drejtuar nga Ilir Daja gjeti rrjetën në minutën e 23` me Dejvi Bregun.
Sulmuesi i Skënderbeut shënoi pas një asisti brenda zonës nga Nazmi Gripshi, teksa me të djathtën e tij gjuajti fortë drejt rrjetës dhe ndryshoi shifrat e takimit. Ndërkohë, Skënderbeu dominoi lojën gjatë pjesës së parë, duke tentuar disa herë portën, por goli i Bregut ishte i vetmi që realizuan. Në fund të pjesës së parë, ishte sulmuesi shkodran i Flamurtarit, Xhevair Sukaj ai që vendosi barazpeshën në takim.
Në pjesën e dytë, Flamurtari u mbrojt mirë duke mos lejuar hapësira në mbrojtje, ndërsa Skënderbeu nuk shfaqi grintën e duhur për të mposhtur një rival që ndodhet në vendin e fundit. Kështu, skuadrat ndanë nga një pikë mes tyre. Skënderbeu ndodhet në vendin e shtatë me 14 pikë pas barazimit të së hënës ndërkohë Flamurtari mban vendin e fundit në renditje me 3 pikë.
Supersfida e kësaj jave ishte ajo mes Partizanit dhe Kukësit që u zhvillua në “Selman Stërmasi”. Të dyja skuadrat e mbyllën pjesën e parë të lojës me rrjeta të paprekura, por duke rrezikuar jo pak në portat respektive. Megjithatë, pjesa e parë nuk solli asnjë gol. Edhe pjesa e dytë nuk pati prekje rrjete nga topi.
Merita ishte e portierëve respektiv të të dyja ekipeve, ku në disa raste Alban Hoxha bëri mrekulli duke shmangur gola të sigurt, sikundër Xhika te Kukësi që gjithashtu ndali sulmin e Partizanit. Pas barazimit të së hënës, Partizani rimerr kryesimin e kampionatit duke udhëhequr me 18 pikë, ndërsa me 3 pikë më pak, Kukësi ndodhet në vendin e pestë të renditjes.