Partizani komplikon kualifikimin, humb në shtëpi përballë Sherif Tiraspol

SPORT


Partizani dështon në ndeshjen e parë të turit të dytë kualifikues të Europa League. Skuadra e drejtuar nga Franko Lerda është mundur në “Selman Stërmasi”, nga Sherif Tiraspol me rezultatin 1-0. Ka mjaftuar një gol i shënuar në minutën e 23` nga Tambe, për t`i dhënë fitoren miqve dhe njëkohësisht për të rritur presionin ndaj Partizanit për ndeshjen e kthimit.

Një lojë e dobët, ndonëse me ndryshime në formacion, skuadër me pak filozofi në qarkullimin e topit dhe krijimin e rasteve, ka bërë që të ndëshkohet dhe të komplikojnë gjithçka për ndeshjen e kthimit. Çdo tentativë drejt portës ka qenë e gabuar, duke konfirmuar dhe njëherë se sulmi i Partizanit është në krizë.

Në fakt, ishte trajneri Lerda ai që një ditë më parë gjatë konferencës për shtyp deklaroi se  “nuk më shqetëson mungesa e golit, rëndësi ka të krijojmë rastet”. Këtë deklaratë e ka konfirmuar edhe të enjten pas ndeshjes duke folur për mediat sportive, mirëpo mungesa e golit në ndeshjen e kthimit për Partizanin do të thotë largim përfundimtar për këtë sezon nga pjesëmarrja në kompeticionet evropiane. Ndeshja e kthimit mes Partizanit dhe Sherif Tiraspol do të luhet javën e ardhshme, ku të kuqtë do të synojnë të bëjnë mrekullinë në fushën kundërshtare.



Skip to toolbar