UEFA EL/ Lazio e nis keq. Basel e Xhaka me “5 yje”

Janë luajtur ndeshjet e para të fazës në grupe të Europa League. Basel ka shkatërruar në ndeshjen e parë 5-0 Krasnodarin në grupin C, duke marrë kryesimin e këtij grupi. Katër gola u shënuan nga lojtarët e Basel, ndërsa një ishte autogol. Futbollisti i kombëtares shqiptare, Taulant Xhaka e nisi si titullar takimin duke luajtur minutat e plota.

Ndërkohë, APOEL është mundur në shtëpi 3-4 nga Dudelange, me ekipin nga Luksemburgu që është duke shkruar histori në Europa League këtë sezon. Megjithatë, kreun  Grupit A e mori Sevilla, e cila mundi Qarabag me rezultatin 3-0, ndërsa në vendin e dytë është skuadra nga Luksemburgu.

Lazio është mundur në transfertë nga skuadra e Cluj, me rezultatin 2-1, duke i nisur në mënyrë të keqe ndeshjet e fazës në grupe të Europa League. Kështu, Cluj mori kryesimin e Grupit E, ndërsa Rnnes dhe Celtic ndanë nga një pikë në takimin tjetër të grupit.

Arsenal ka mposhtur në transfertë 3-0 Eintracht Frankfurt, duke marrë kryesimin e Grupit F, ndërsa ka po 3 pikë dhe St.Liege, pas fitores ndaj Guimares me rezultatin 2-0. Ndërkohë, në tabelën e mëposhtme janë rezultatet e të gjitha ndeshjeve të luajtura pasditen e të enjtes për fazën në grupe të Europa League.

Sherifi moldav ‘deporton’ Partizanin nga Europa

Ka zgjatur vetëm 63` minuta suksesi i Partizanit ndaj Sherif Tiraspolit në transfertë. Goli i shënuar nga Jasir Asani në minutën e 29` të takimit, nuk mjaftoi që ëndrra e Partizanit në Europë të vijonte dhe më tej. Skuadra e drejtuar nga trajneri Franko Lerda ka barazuar 1-1 në Moldavi ndaj skuadrës vendase të Sherif Tiraspol, por humbja në “Selman Stërmasi”, 0-1 në favor të miqve, e nxjerr përfundimisht Partizanin nga Europa League.

Sa i përket ndeshjes në Moldavi, Partizani ka qenë superior duke dominuar takimin, ng qarkullimi i topit deri te rastet e krijuara. Në të 29`, Asani del bukur në qendër të zonës dhe i asistuar nga Solomon, shënon me të majtën duke kaluar skuadrën e tij në avantazh. Pjesa e parë nuk sjell ndryshim në rezultat, ndërsa në të dytën, ekuilibrat vendosen përsëri në fushë.

Ishte sulmuesi Ndiaje që mposhti Alban Hoxhën pas një goditje dënimi, duke shënuar nga brenda zonës, ndonëse me dyshime për pozicion. Megjithatë deri në fund të ndeshjes, Partizani u mundua të gjente golin e avantazhit, që do të mjaftonte për të vijuar më tej në Europa League, por miqtë u treguan të kujdesshëm duke mbrojtur barazimin 1-1.

Në këto kushte, me rezultatin e përgjithshëm 2-1, Sherif Tiraspol vijon më tej në turin  e tretë të Europa League, ndërsa Partizani bëhet skuadra e fundit që dorëzohet në kompeticionet evropiane, pas Kukësit, Teutës dhe Laçit.

Partizani komplikon kualifikimin, humb në shtëpi përballë Sherif Tiraspol

Partizani dështon në ndeshjen e parë të turit të dytë kualifikues të Europa League. Skuadra e drejtuar nga Franko Lerda është mundur në “Selman Stërmasi”, nga Sherif Tiraspol me rezultatin 1-0. Ka mjaftuar një gol i shënuar në minutën e 23` nga Tambe, për t`i dhënë fitoren miqve dhe njëkohësisht për të rritur presionin ndaj Partizanit për ndeshjen e kthimit.

Një lojë e dobët, ndonëse me ndryshime në formacion, skuadër me pak filozofi në qarkullimin e topit dhe krijimin e rasteve, ka bërë që të ndëshkohet dhe të komplikojnë gjithçka për ndeshjen e kthimit. Çdo tentativë drejt portës ka qenë e gabuar, duke konfirmuar dhe njëherë se sulmi i Partizanit është në krizë.

Në fakt, ishte trajneri Lerda ai që një ditë më parë gjatë konferencës për shtyp deklaroi se  “nuk më shqetëson mungesa e golit, rëndësi ka të krijojmë rastet”. Këtë deklaratë e ka konfirmuar edhe të enjten pas ndeshjes duke folur për mediat sportive, mirëpo mungesa e golit në ndeshjen e kthimit për Partizanin do të thotë largim përfundimtar për këtë sezon nga pjesëmarrja në kompeticionet evropiane. Ndeshja e kthimit mes Partizanit dhe Sherif Tiraspol do të luhet javën e ardhshme, ku të kuqtë do të synojnë të bëjnë mrekullinë në fushën kundërshtare.

UEL, Lerda: Rëndësi ka që krijojmë raste, Sherifin e vlerësojmë

Partizani do të përballet të enjten me Sherif Tiraspol, në ndeshjen e parë të turit të dytë të Europa League. 24 orë para këtij takimi, trajneri i të kuqve, Franko Lerda u shpreh se kundërshtari është një ekip që ka pasur ecuri të mirë në vitet e fundit, për këtë arsye, Partizani do e vlerësojë maksimalisht.

“Sigurisht që kemi një kundërshtar që do ta vlerësojmë maksimalisht, duke ditur ecurinë e tij gjatë viteve të fundit. Është një skuadër që këtë sezon ka ndryshuar mjaft lojtarë. Por ne do ta vlerësojmë maksimalisht”, tha Lerda.

Më tej trajneri i të kuqve është shprehur se nuk shqetësohet për faktin që ekipi i tij s`shënon, por rëndësi ka që të krijojë raste. “Skuadra ka krijuar shumë raste në 2 përballjet e Champions, por nuk kemi arritur të realizojmë. Kjo nuk është problem. E rëndësishme është që ne të krijojmë raste”.

Por a do të tentojë Partizani kualifikimin ndaj Sherif Tiraspol? Lerda mbetet me këmbë në tokë, duke u nisur dhe nga eksperienca e parë në Champions League. “Detyrim për ne është që të japim maksimumin. Të zhvillojmë me përpikmëri të gjitha ato që kemi zhvilluar në stërvitje. Për sa i përket kualifikimit ajo do të jetë në vazhdimësi të këtyre që thashë. Parësore për mua është të sulmojmë në grup dhe të mbrohemi në grup si skuadër. Ky është objektivi që kam unë”.

Dështon ëndrra evropiane e ekipeve shqiptare, Kukësi, Teuta dhe Laçi largohen me turp nga Europa League

Teuta, Laçi dhe Kukësi i kanë dhënë fund me turp aventurës në Europa League për këtë sezon, duke treguar dhe njëherë nivelin e dobët të futbollit shqiptar. Skuadra durrsake, e rikthyer në Europë pas shumë sezonesh mungesë, është eleminuar nga letonezët e Ventspils, pasi ka humbur me rezultatin e përgjithshëm 1-3. Teuta fitoi të enjten ndeshjen e kthimit në shtëpi ndaj skuadrës së Ventspils me një gol të Sherif Kallakut, por kaq nuk ka mjaftuar, pasi miqtë fituan ndeshjen e parë në shtëpi me rezultatin 3-0.

Me rezultatin përfundimtar 1-4 (për të dyja ndeshjet), edhe Kukësi është eleminuar nga Europa League nga hungarezët e Debrecen. Në ndeshjen e luajtur në “Elbasan Arena”, skuadra e Ernest Gjokës nuk ka shkuar më shumë se barazimi 1-1, duke mos arritur të bënte mrekullinë. Ka qenë Valon Ethemi ai që ka shënuar golin e vetëm për verilindorët në Europa League në dy ndeshjet e turit të parë kualifikues, por që nuk mjaftoi kundër 4 golave të Debrecen.

Laçi është mundur nga Hapoel Beer Sheva në Izrael me rezultatin 1-0, pas barazimit 1-1 në ndeshjen e parë luajtur në shtëpi. Skuadra e Sulejman Starovës ka tentuar të bëj më të mirën në Izrael, por një gol i Sabag i shënuar në minutën e  69` të takimit, ka prishur ëndrrën e kurbinasve.

Në këtë mënyrë, të treja skuadrat shqiptare, Teuta, Kukësi dhe Laçi, i japin fund aventurës në kupat e Europës shumë herët, duke humbur mundësinë për të vijuar më tej, e njëkohësisht për të arkëtuar shuma të konsiderueshme të ardhurash. I vetmi ekip që vijon ende në Europë, është Partizani, që pas eleminimit në Champions, tashmë do të luajë në Europa League.

Laçi barazon në shtëpi, Kukësi bie në Hungari, kualifikimi vendoset në kthim

Laçi ka barazuar ndeshjen e parë të turit kualifikues në Europa League, që luajti kundër Hapoel Beer Sheva, nga Izaraeli. Skuadra kurbinase ka bërë një ndeshje të mirë në stadiumin e qytetit të saj, duke kaluar e para në avantazh.  Në minutën e tretë të takimit, një aksion i shpejt nga krahët do të finalizohej me gol për Laçin.

Është sulmuesi Nëabueze, që shndërron në gol me kokë nga brenda zonës, një kros që erdhi nga jashtë zone.  Megjithatë, miqtë barzuan takimin në minutën e 78`, Levi për miqtë shënoi nga brenda zonës, duke mposhtur Gentian Selmanin, dhe për rrjedhojë duke vendosur kualifikimin javën e ardhshme në Izrael.

Në krahun tjetër, Kukësi është mundur me rezultatin 3-0 nga Debreceni në Hungari, duke shuar pothuajse shpresat për kualifikim në turin tjetër të Europa League. Skuadra e drejtuar nga Ernest Gjoka, arriti të mbante të paprekur portën në pjesën e parë, por në të dytën gjithçka foli për miqtë. Garba në minutën e 54` dhe Varaga me dygolësh në minutën e 77` dhe 83`, vulosi rezultatin 3-0, duke vështirësuar shumë pozitat e Kukësit për kualifikim.

Dallku i “mbyll” derën e Europës, Prishtina kthehet me turp nga Gjibraltari

Prishtina e drejtuar nga trajneri Mirel Josa i ka dhënë fund rrugëtimit në kupat e Europës. Pasditen e të martës, Prishtina luajti ndeshjen e dytë ndaj St Josephs (ekip nga Gjibraltari). Takimi përfundoi me rezultatin 2-0 për skuadrën nga Gjibraltari, e cila vijon më tej në turin e parë elemintaor të Europa League.

Ndërkohë, Prishtina ka shpërdoruar një mundësi të shkëlqyer për të kaluar ekipin e St Josephs dhe për të vijuar më tej në ëndrrën evropiane, e cila veç promovimit të lojtarëve, do të arkëtonte në llogaritë e klubit të Prishtinës edhe shuma të konsiderueshme parash. Ndeshja ka qenë e ekuilibruar deri në momentin kur ekipi i drejtuar nga Mirel Josa ka mbetur me dhjetë lojtarë.

Në minutën e 48` Bekteshi është ndëshkuar me kartonin e dytë të verdhë, duke dalë prej fushës me të kuq. Për protesta është ndëshkuar me të kuq dhe Armend Dallku, duke dalë gjithashtu nga loja. Kështu, Prishtina mbetet me nëntë lojtarë në fushën e lojës, por reziston deri në minutën e 75, kur vendasit shënojnë golin e parë me Villar.

Pesë minuta më vonë Juanfri shënon dhe golin e dytë për skuadrën nga Gjibraltari, duke i dhënë kualifikimin ekipit të tij, ndërsa Prishtina e mbyll me kaq pjesëmarrjen në Europë për këtë sezon.

Europa League, Kukësi, Teuta dhe Laçi njohin kundërshtarët

Kukësi, Teuta dhe Laçi janë njohur me kundërshtarët që do të kenë përballë në turet kualifikuese të Europa League. Gjatë shortit të hedhur këtë të martë në Nion të Zvicrës, skuadra që duket se ka gjetur rivalin më të lehtë, të paktën në letër, është Teuta. Skuadra durrsake do të ketë përballë në turin e parë skuadrën e letoneze të Ventspils.

Për skuadrat shqiptare kjo e fundit nuk është e panjohur, pasi vitin e kaluar eliminoi Luftëtarin nga Europa League, në dy takime të fituara nga letonezët, por që dyshohet se janë të trupuara. Kukësi i drejtuar nga Ernest Gjoka nuk do ta ketë të lehtë, pasi përballë do të ketë Debreçenin, një ekip që gjithashtu vite më parë ka eliminuar Skënderbeun nga ky kompeticion.

 Ndërkohë, ekipi tjetër shqiptar që do të luajë në Europa League është Laçi që përballë do të ketë skuadrën e Hapoel Ber Sheva. Ndeshjet e para për ekipet shqiptare do të luhen më 11 korrik, ndërsa takimet e kthimit do të luhen më 18 korrik.

Chelsea shkatërron Aresnalin në 20 minuta dhe fiton Europa League

Chelsea ka fituar kupën e dytë më të rëndësishme europiane për klube, pasi ka mundur Arsenalin në finalen e mdhe të UEFA Europa League, me ndeshjen që u zhvillua në Baku të Azerbajxhanit.

Skuadra e Maurizio Sarrit ka shpërthyer në pjesën e dytë të ndeshjes, me Giroud që hapi serinë e golave për Blutë e Londrës. Pas pjesës së parë, që prodhoi lojë dinamike, por pa gola, në të 49′ e pjesës së dytë ishi Arsenalit, ndë shkon Peter Cech me një gol të bukur me kokë nga brenda zonës.

Pas 11-të minutash nga goli i parë, Chelsea dyfishon me Pedron, që realizon pas një asisti nga Eden Hazard. Por në të 65′ belgu do të tundte rrjetën e mbrojtur nga ish-shoku i tij i skuadrës te Chelsea, por që sonte mbronte portën e Arsenalit, në atë që ishte ndeshja e fundit të karrierës. Hazard gjeti rrjetën nga pika e bardhë e penalltisë, por Arsenal ngushtoi me Iwobi në minutën e 69′, pas një goditje spektakokare nga jashtë zone.

Por Chelsea nuk toleron, pasi Hazard shënon golin e katërt në minutën e 72′, pas një goditje të bukur nga brenda zonës. Me rezultatin 4-1 Chelsea ngre lart për herë të dytë në historinë e tij trofeun e Europa League, pasi më herët e kishte fituar në sezonin 2012-2013. Kjo mund të ketë qenë ndeshja e lamtunirës për shumë lojtarë nga të dyja ekipet.

Eden Hazard është pranë kalimit te Real Madrid, ndërsa portieri i Arsenalit Peter Cech pas finales do të varë këpucët në gozhdë. Ish-portieri legjendar i ekipit nga Stamford Bridge do të rikthehet te Chelsea në pozicionin e drejtorit.

Skip to toolbar