Pas sinjaleve për negociata, Basha tërhiqet: Nuk ka marrëveshje me të keqen

POLITIKË


“Nuk do të heshtim dhe nuk do të pranojmë kurrfarë kompromisi me të keqen që po shkatërron shoqërinë dhe sjell qeverisje korruptive” ky ka qenë mesazhi që kreu i demokratëve Lulzim Basha ka dhënë që herët mëngjesin e të mërkurës për qeverinë, gjatë një urimi për 95 vjetorin e lindjes së At Zef Pllumit. Basha tha se politika ende nuk i ka kuptuar mesazhet që At Zef Pllumit dha për të gjithë shqiptarët me guximin dhe drejtësinë e tij. Sipas Bashës ku mesazh guximi e bën Partinë Demokratike të luftojë edhe më shumë ndaj padrejtësive, të refuzojë qeverisjen e korruptuar  dhe të mos bëjë asnjë lloj kompromisi me të keqen.

Ato dëshmi të guximshme na dhanë shembullin se e keqja duhet nxjerrë nga institucionet e shtetit, nga politika, drejtësia e shkollat, pasi bashkëjetesa me të vetëm na pengon në rrugën tonë, e shndërron demokracinë tonë në një mostër që s’ka as drejtësi e as moral. Këtë leksion s’e kemi nxënë mirë, politika sidomos s’e ka nxënë, sepse ajo për 30 vjet, u end mes marrëveshjeve që kanë sjellë një qeverisje korruptive, rritje të varfërisë dhe rikthim në linjën e parë të politikës, ekonomisë e të njerëzve të suksesshëm të hajdutit, dallkaukut, të paaftit dhe këto vitet e fundit edhe në një emulacion të kriminelit, si një njeri i zoti e që vetëm ai bën hajër në këtë vend. Në 95-vjetorin e Padër Zefit e ndjej me vend të përsëris se nuk do të heshtim dhe nuk do të pranojmë kurrfarë kompromisi me të keqen. E keqja po e shkatërron shoqërinë dhe ne nuk do të reshtim duke e kundërshtuar atë.”- shkruan Basha


Ky sulm dhe mesazh i koduar që Basha i dërgon Ramës duke i thënë se nuk do të ketë marrëveshje me të, e bën edhe më shumë kaotike situatën. Vetëm një ditë më parë ai dha sinjale të qarta se mund të kishte një tryeze dialogu me qeverinë nëse Gjermania do të ishte ndërmjetësuese e saj. Duket se të gjithë jemi mësuar tashmë me paaftësinë e Lulit për të mbajtur një qëndrim të caktuar. Fjalimet pa kuptim të Bashës që nisin me protesta e revolta kundër krimit dhe më pas përfundojnë me sinjale se mund të ketë bisedime mes palëve, e bëjnë situatën edhe më të paqartë politikisht se çfarë pritet të ndodh në shtator.

Kryeministri Rama nga ana tjetër, ka qëndruar i heshtur, larg deklaratave politike dhe i fokusuar në punët e qeverisë. Pas zgjedhjeve të 30 qershorit, Rama i dha disa herë mesazh kryedemokratit Basha se dora e tij mbetet e shtrirë për tryezën e dialogut, por ai nuk do t’i lutet më apo të rri të pres “zhulietën e tij” deri sa t’i mbushet mendja siç bëri në marrëveshjen e 17 majit 2017.




Skip to toolbar